Zbatimi i orës policore në Shkodër/ Drejtori Brahimaj: Më thoni një lokal hapur dhe unë jap dorëheqjen!…

Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj ka këshilluar qytetarët për zbatimin e masave shtrënguese me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe zbatimin e orës policore.

I pyetur nga TopChannel për lokalet e natës të cilat vazhdojnë të jenë të hapura gjatë gjithë pandemisë, Brahimaj paralajmëron se do të japë dorëheqjen nëse gjendet një lokal i hapur pas orës 20:00.

“DVP Shkodër është e fokusuar në ruajtjen e pronës, jetës dhe shëndetit të qytetarëve të saj. Në vazhdim të kësaj që thashë, ne do bëjmë ç’është e mundura që jeta, shëndeti i qytetarëve tanë të ruhet me çdo kusht, edhe përballë këtij armiku të padukshëm që është koronavirusi. Ne do bëjmë ç’është e mundura që qytetarët tanë të ndërgjegjësohen dhe në fokusin dhe tragetin tonë nuk është ndëshkimi, është ndërgjegjësimi i kujtdo, i çfarëdo lloj niveli që të jetë, arsimor apo kulturor.

Ne duam që të gjithë të na mirëkuptojnë. Të gjithë të zbatojnë rregullat e vendosura nga një komision apo strukturë e posaçme shtetërore. Ne duam që të na mirëkuptojmë, duam që niveli i gjobave të jetë zero, por nga ana tjetër nuk do të tolerojmë kërkënd që do ta shikojnë si të pamundur vendosjen e këtyre parametrave në qarkun e Shkodrës.

Në pedonale keni ujë tani për momentin. Më thoni një emër të një lokali dhe për 3 minuta do ikim bashkë atje, do jetë i hapur apo i mbyllur. Sot më thoni një lokal hapur tani në Shkodër, jo vetëm, por edhe në rrethina dhe të gjithë bashkitë e qarkut Shkodër, një lokal hapur dhe do jap dorëheqjen unë”, tha Brahimaj.