Zbulohet punishtja e prodhimit të armëve dhe silensiatorëve në Tiranë, arrestohen dy persona…

Zbulohet punishtja e prodhimit të armëve në Tiranë, arrestohen dy persona dhe sekuestrohen arsenal armësh e municion luftarak

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka përfunduar sot operacionin policor të koduar “Silent”, në kuadër të të cilit është zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Si rezultat janë sekuestruar arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj.

Pas kontrollit të ushtruar në një banesë në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez, u arrestua në flagrancë i Ervis Bakalli, 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim; Dorian Kalo, 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Pas verifikimeve të informacioneve policore, u organizua puna dhe u ushtrua kontroll në banesën e Ervis Bakalli, në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez. Në një ambient brenda rrethimit të banesës së këtij shtetasi, të përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve/mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve.

Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në këtë ambient janë gjetur duke punuar Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Gjatë kontrollit të ambienteve të punishtes dhe ambientit përpara rrethimit të banesës së sErvis Bakallit, ku ishte i parkuar dhe automjeti në përdorim nga ky shtetas, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndyshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Bëhet e ditur se aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.