A ËSHTË SHAMIA UNIFORMË FETARE?!

Nga Ekrem Avdiu:

Kjo temë ka shkaktuar debat shumë të gjerë e të pafrytshëm, madje edhe me pasoja, ngase si rrjedhojë e keqtrajtimit të kësaj teme disa vajza, qytetare të Republikës së Kosovës janë privuar nga vijimi i mësimit në shkollat publike.

Përgjigjen për pyetjen a është shamia apo mbulesa islame uniformë fetare duhet konsideruar si kompetencë të ekspertëve, në këtë rast njohësve të Islamit dhe zyrtarëve kompetentë të Bashkësisë Islame. Qëndrimi i saktë lidhur me këtë temë është se mbulesa islame është një obligim fetar për femrat muslimane e vajzat e mbuluara mbulesën në jetën e tyre e aplikojnë me motive devocioni. Ato vajza vijnë nga familje të ndryshme, me gjendje ekonomike, sociale e intelektuale gjithashtu të ndryshme ndërsa vijojnë institucione arsimore në shumë vende të Kosovës. Atë lloj veshjeje ato e veshin në shtëpi, rrugë, shkollë e gjetiu. Ajo veshje (mbulesa, pra) nuk është e përkufizuar me finesa konkrete sa i përket dukjes, si ngjyra, lloji i materialit, etj. Si e këtillë, mbetet të thuhet se nuk është veshje uniforme por është veshje fetare e që moslejimi i bartjes së mbulesës (si veshje fetare) vie ndesh me garantimin e të drejtës elementare të njeriut e ajo është e drejta e lirisë së shprehjes së besimit.

Përndryshe, të gjithë e dimë se uniforma është fjalë e cila nënkupton formën unike, ndërsa për nga përmbajtja ajo është veshje për përdorim zyrtar të pjesëtarëve dhe nëpunësve të institucioneve të ndryshme, si: ushtria, policia, zjarrfikësit, etj… Ndërsa shembull i uniformës fetare është veshja ceremoniale e hoxhallarëve (çallma e xhybeja) por jo edhe hixhabi-mbulesa fetare e femrës muslimane.

#ndryshojeni_ua_për_shaminë