Arsimi i lartë, Rama: Të shikojmë nga cilësia! Të punojmë për të pasur studentë të huaj këtu…

Kryeministri Edi Rama tha këtë të martë se universitetet nuk kanë përse të jenë gjeneraliste, por të profilizohen në 2 apo 3 drejtime.  

“Duhet të biem të gjithë dakord, që nuk mundet dot ne, një vend kaq i vogël, me këto potenciale që kemi, që sado të mëdha qofshin janë potencial i një vendi të vogël, që kemi në gjithë territorin e Shqipërisë universitetet gjeneraliste, që i bëjnë të gjitha. Dhe që për shkak të faktit që bazohen tek nevoja për financim të drejtpërdrejtë, shtojnë ujë dhe shtojnë miell duke, faktikisht, shtuar mediokritetin dhe duke i hequr vetes mundësinë që të jenë ekselenca në një apo dy drejtime të caktuara, e jo në çdo drejtime të mundshme. Po humbasim kohë e vite në pritje të diçkaje që nuk do ndodhë kurrë, që këtë ta bëjnë vetë universitetet, nuk e bëjnë dot. Për shkak se janë të shtrënguara nga kushte të caktuara financiare dhe konjuktura të caktuara të brendshme që lidhen me punësimi i këtij, atij. Po të bëhet kështu atëherë duhet të ikë ky, siç banalizohen vizionet dhe projektet e mëdha në terrenin e një vendi të vogël. Duhet të jemi të përgatitur dhe të punojmë në një drejtim, që pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë, duke u bërë shumë më tepër tërheqës për tregun e brendshëm, qoftë për sistemin e arsimit të lartë europian. Gjëja që kemi parë e dëgjuar nga të gjitha kontaktet që kemi bërë deri tani për ta nxitur ndërkombëtarizimin, në 90% të rasteve duhet përballemi me pyetjen po pse ky universitet bën gjithë këto gjëra? Duke pasur faktikisht një gjeografi të ngushtë dhe duke pasur një territor në të cilin është e qartë që mund të profilizohet shumë më mirë në 2-3 drejtime, sesa të hapet me të gjitha. Pse duhet të ketë juridik në gjithë Shqipërinë? Pse duhet të ketë infermieri në të gjithë Shqipërinë? etj.etj”.

Rama tha se duhet të shikojmë nga cilësia, me synimin jo vetëm për të mbajtur nxënësit ekselentë, por edhe për të pasur studentë të huaj këtu.

“Këtë ne duhet ta përballim, sepse kështu siç është ky sistem nuk na çon larg. Dhe i bën gjithmonë e më pak tërheqëse degë dhe dyer të caktuar universitetesh, të cilat pastaj detyrohen të ulin komplet pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin. Dhe të bëjnë një kompromis fatal për cilësinë e arsimit, duke thënë jo një pjesë do t’i marr edhe me 4-sa sepse më duhen. Ose duhet t’i marrim patjetër kështu që vijnë tek ne ulni mesataren ulni kërkesën se na duhen njerëz. Si qenka kjo? Duhet ta shohim në të kundërt gjënë dhe besoj i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Tani që jemi në kushtet kur po shohim që me hapa të vegjël, por kuptimplotë edhe kërkim shkencor po rritet, edhe mundësi për kërkim shkencor po zgjerohet, edhe mbështetja për kërkim shkencor po rritet dhe do të ritet vit pas viti ne patjetër që duhet të shikojmë nga cilësia! Sepse vetëm kështu ne do të mund të mbajmë më shumë vajza dhe djem që mbarojnë shkëlqyeshëm nëpër gjimnaze për të studiuar këtu dhe do të bëjnë atë që sot mund të duket si utopi, por që është komplet e realizueshme për të pasur studentë të huaj këtu. Këtë na e kanë thënë të gjithë. Në të gjitha vendet e perëndimit që kemi takuar na kanë thënë ne duam të krijojmë këto lidhje, sepse ne duam që edhe studentë tanët, qofshin vendas apo të huaj nga vende të tjera të Europës që vijnë tek ne të mund të vijnë edhe atje sepse kemi nevojë për zgjerim të kapaciteteve ofertuese”.