Cilat janë 5 bashkitë më të “zhytura” në borxhe? 31.2 milion euro detyrime, zënë 52% të totalit të vendorëve…

61 bashkitë në vend kanë akumuluar një borxh total kundrejt qytetarëve dhe bizneseve në vlerën e 7 miliardë lekëve apo 59 milionë eurove në gjysmën e parë të vitit. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga 3 mujori i parë vihet re rënie e vlerës së detyrimeve të prapambetura, ndërsa krahasuar me fundvitin 2021 vihet re një rritje prej 400 milionë lekësh. Por cilat janë bashkitë më borxhlije? Lista kryesohet nga Bashkia Tiranë, duke qenë se ka edhe shtrirje më të gjerë dhe numrin më të lartë të popullsisë.

Bashkia Tiranë rezulton të ketë një stok detyrimesh të papaguara në vlerën e 1.4 miliardë lekëve apo 11.9 milionë euro. Në vendin e dytë renditet Bashkia Kavajë, me 6.4 milionë euro detyrime, e ndjekur nga Bashkia Vorë me 4.4 milionë euro të papaguara; Bashkia Pogradec me 2.7 milionë euro dhe Bashkia Belsh me 2.5 milionë euro. Vetëm këto 5 bashki, mbajnë 52 për qind të totalit të detyrimeve që kanë 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore në vend, e llogaritur në 31.2 milionë euro.

Ndër bashkitë që kanë një vlerë më të ulët borxhi por që sërish mbetet problematik, janë Lezhë, Kamzë, Cerrik, Kuçovë, Durrës, Dibër, Fier, Devoll etj. Ndërsa listën e mbyllin bashkitë Vlorë, Pustec dhe Shkodër të cilat kanë detyrime në vlera të pa konsiderueshme. Peshën më të madhe të borxheve të krijuara nga pushteti vendor e mbajnë punët publike të pa paguara në afro 33.8 milionë euro, vendimet gjyqësore me afro 5.4 milionë euro dhe shërbimet me 4.5 milionë euro.

Bashkitë me detyrimet më të larta

Bashkia Tiranë       11.9 milionë euro

Bashkia Kavajë      6.4 milionë euro

Bashkia Vorë         4.4 milionë euro

Bashkia Pogradec    2.7 milionë euro

Bashkia Belsh          2.5 milionë euro

Totali                        31.2 milionë euro

Zërat me detyrimet më të larta

Investimet                       33.8 milionë euro

Vendimet gjyqësore          5.4 milionë euro

Shërbimet                       5.4 milionë euro

Elisabeta Dosku / SCAN