Çmimet e naftës rriten për herë të dytë brenda pak ditësh, arrijnë në 233 lekë për litër…

Bordi i Transparencës i mbledhur sot në datë 23 mars 2022 ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Çmimet janë rritur sërish, për herë të dytë brenda dy ditësh, duke u shtrenjtuar me 30 lekë për litër.

Çmimi i naftës është rritur në 233 lekë për litër, nga 221 lekë që ishte dje dhe 203 që kishte zbritur në fund të javës së kaluar.

Benzina është rritur në 218 lekë për litër, nga 211 që ishte të martën.

Sipas njoftimit të Bordit, vendimi pasqyron çmimet e tregtimit të karburanteve në bursë, për

Gazoil: Çmimi në bursë në datë 22 Mars ka qenë 1,204 $/Ton, i cili është rritur me 231 $ nga datë 16 Mars 2022 kur ka qenë 973 $/Ton.

Benzinë : Çmimi në bursë në datë 22 Mars ka qenë 1,086 $/Ton, i cili është rritur me 113 $ nga datë 16 Mars kur ka qenë 973 $/Ton

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, në datë 23 mars 2022, në mbledhjen e tij të radhës, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

  1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 227 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 208 lekë/litër.
  2. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 23 mars -25 mars 2022, të jetë 233 lekë/litri.
  3. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 218 lekë/litri.
  4. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 23 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e Premte, datë 25.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.