COVID-19 ndryshon politikën, mazhoranca shtyn në korrik vendimin për shkarkimin e Presidentit

Që prej 10 marsit politika ka qenë pothuajse jo produktive, për shkak të izolimit nga pandemia. 15 marsi duhej të shënonte një qëndrim të rëndësishëm të Presidentit Meta ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Në Tubimin e 2 marsin, Kreu i Shtetit paralajmëroi se pasi të përfundonte reforma zgjedhore, do të merrte vendime të rëndësishme, në emër të qytetarëve shqiptarë përsa i përket funksionit të Parlamentit. Por izolimi i menjëhershëm shtyu afatin e komisionit të reformës zgjedhore dhe qetësoi Ilir Metën.

Muaj Mars ishte i rëndësishëm edhe për Gjykatën Kushtetuese dhe për fatin e mandatit të Presidentit, pasi pritej edhe opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias se kush e kishte shkelur ligjin me emërimet në Kushtetuese.

Covid-19 detyroi Venecian që të shtynte vendimin e tij për Shqipërinë, duke e zhvendosur parimisht në qershor. Kjo detyroi PS që të zgjaste afatin e punës së komisionit të posaçëm për shkarkimin e Kreut të Shtetit deri në fund të korrikut.

Edi Rama dhe Ilir Meta gjatë kësaj periudhe pandemie në daljet publike më shumë e kanë mirëkuptuar njëri-tjetrin se sa kanë drejtuar akuza apo kundër akuza. Por pandemia nuk qetësoi vetëm politikën por ngriu edhe reforma të rëndësishme si dhe funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese.

Që nga marrja e masave parandaluese Këshilli politik ka stopuar duke mos vijuar punën madje as online për të çuar para reformën zgjedhore, por preferuan të zgjasin afatin deri me 30 qershor.

Ndërkohë Këshilli i Emërimeve në drejtësi e ka marrë shtruar për të bërë gati listën me emrat kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, duke e lënë këtë institucion sërish jofuknsional.

Pas 6 javëve në karantinë, dhe kur ka nisur procesi i lëvizjes së lirë, i vetmi debat që u rihap sërish është “lufta” Meta-Dvorani, ku Kreu i Shtetit akuzon këtë të fundit se po qëndron në Gjykatë të Lartë pavarësisht se i ka përfunduar mandati i tij që në 2014.

Me nisjen e muajit maj, nuk pritet më vetëm hapja e qendrave tregtare apo qendrave estetike, por dhe rinisja e tensionit politik.