Dhunoi nënën e dëshmorit të UÇK-së, infermierja nuk pendohet dhe bën deklaratën shokuese: Më sulmoi e para, vetëm pak e rraha!

Një deklaratë shokuese, ashtu si veprimi i saj. Infermierja Aurona Pelaj që dhunoi të moshuarën në qendrën e kujdesit të të moshuarve në Pejë “Orenda” ka thyer heshtjen duke folur për policinë.

Në deklaratën e saj për policinë të publikuar nga Sinjali, thuhet që infermierja e arsyetoi dhunën me pretendimin se e moshuara ishte agresive.

“Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër”, ka deklaruar ajo.

Pelaj ka deklaruar po ashtu se ka mësuar se duhet të jetë dominonte ndaj personave me probleme psikike.

 “Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”, ka shtuar ajo.

Ajo ka deklaruar po ashtu se publikimi i videos është bërë me qëllim nga qendra pasi ajo e ka lënë punën gjatë ditës së djeshme.

Sipas saj, ajo s’ka qenë e përgatitur që të merret me persona që kanë probleme psikike.

Pamjet e rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë kanë tronditur vendin. Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi regjistroi momentin.