Draft ligji, brenda dy vitesh vlerësim risku nga përmbytjet për çdo lumë e liqen në vend…

Një projektligj për burimet ujore i nxjerrë tashmë për konsultim parashikon elementët e plotë nga regjistri i çdo burimi ujor, tek menaxhimi apo mbrojtja e tij e deri tek vlerësimi i riskut të përmbytjeve që mund të vijë prej tyre. Për këtë të fundit drafti parashikon një kre të veçantë ku thuhet se brenda dy vitesh do të bëhet një vlerësim paraprak i menaxhimit të riskut nga përmbytjet dhe mbrojtja prej tyre.

Kështu për çdo basen lumor/liqenor apo pjesë të një rajoni lumor ndërkufitar që bie në territorin e Shqipërisë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, kryen vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet.

“Vlerësimi paraprak i riskut nga përmbytjet kryhet bazuar në informacionin e disponueshëm, siç janë të dhënat dhe studimet mbi zhvillimet afatgjata, dhe në veçanti ndikimet e ndryshimeve klimatike në rastin e ndodhjes së përmbytjeve.

Në rastin e rajoneve të baseneve lumore/liqenore ndërkombëtare, të cilat ndahen me shtetet fqinje, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron shkëmbimin e informacionit me autoritetet kompetente përkatëse të atyre shteteve” thuhet në nenin 19 të draftit.

I njëjti sanksionon se Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton dhe dërgon për miratim në Këshillin Kombëtar të Ujit, vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet në përputhje me këtë nen brenda dy vitesh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet.

Por cilët janë në fakt elementët që do të vendosen në vlerësimin e riskut. Sipas draft ligjit janë tre.

“(a) hartat e rajonit të basenit lumor në shkallën e përshtatshme duke përfshirë kufijtë e baseneve lumore, nënbaseneve dhe, kur është rasti zonat bregdetare, si dhe topografinë dhe përdorimin e tokës;

(b) përshkrimin e përmbytjeve që kanë ndodhur në të shkuarën dhe që kanë pasur ndikime negative të konsiderueshme për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veprimtarinë ekonomike, dhe të cilat kanë gjasa të përsëriten në të ardhmen, duke përfshirë shkallën e përmbytjeve, rrugët e përhapjes dhe vlerësimin e ndikimeve negative që kanë sjellë;

(c) përshkrimin e përmbytjeve madhore që kanë ndodhur në të shkuarën, ku mund të parashikohen pasoja negative të konsiderueshme për ngjarje të ngjashme në të ardhmen” thuhet në dokument./Monitor/