Koronavirusi, Bino: Kujdesuni për higjienën personale, mos pështyni kudo

Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, konfirmoi të dielën, në një deklaratë për mediat, se nuk kemi asnjë rast të dyshuar apo të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri.

Ajo përfitoi për të dhënë disa këshilla për qytetarët në lidhje me higjienën: “Të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit tanë. Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare, por edhe duke u përkujdesur për veten. Mos të pështyjmë kudo”.

Bino tha se koronavirusi përhapet njësoj si virusi i gripit, por ka një vdekshmëri më të lartë.

“U bëj thirrje qytetarëve që udhëtojnë nga Italia apo Kina, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim mjekësor”, shtoi Bino.