Kuvendi miraton në parim projektligjin për Buxhetin 2023 dhe Paketën Fiskale…

Paketa Fiskale dhe projektligji për buxhetin 2023 është miratuar në parim vetëm me votat e partisë Socialiste, ndërsa opozita ka votuar kundër.

Me 76 vota pro dhe 41 kundër, kuvendi ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2023. Ndryshimet ligjore në Paketën Fiskale janë miratuar gjithashtu vetëm me votat e mazhorancës. Projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar u miratua me 76 pro e 40 kundër, ndërsa projektligji për procedurat tatimore u miratua me 76 vota pro e 40 kundër.

Gjatë seancës maratonë të Kuvendit që ka zgjatur dy ditë ka pasur përplasje të shumta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me buxhetin e viti 2023. Teksa mazhoranca tha se ky buxhet është i përshtatur me krizën ekonomike që ka përfshirë botën për shkak të luftës dhe se me të synohet mbështesja e shtresave në nevojë dhe rritja e pagave dhe pensioneve, opozita nga ana tjetër mendon se ky buxhet dëmton qytetarët dhe bizneset.

Gjatë prezantimit të buxhetit 2023, kryeministri Rama tha se në fokus ka mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Ky buxhet, tha Rama, është në buxhet 2-fishi i atij të vitit 2013 dhe se janë 12 mld lekë, plus edhe suporti i BE, për mbështetjen buxhetore të këtyre kategorive.

Ai shtoi po ashtu se do të rritet niveli i pagës minimale, ku nga 36 mijë lekë, do të shkojë në 38 mijë lekë, ndërsa do të rritet me 6% paga e mësuesve, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve. Kreu i qeverisë theksoi se mbështetja për familjet do të vijojë edhe rritjen e nivelit të pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë.