Lajm i mirë për taksistët, do të përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar…

Taksistët që përdorin taksimetër do të përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar fatura të fiskalizuara.

Nga 1 janari 2021 kur nisi zbatimin procesi i fiskalizimit të përjashtuar  nga detyrimi për t’u fiskalizuar e kishin vetëm shitësit ambulantë, prodhuesit bujqësorë dhe kompanitë e transportit urban të pasagjerëve që operojnë me bileta apo abone. Në fletoren zyrtare janë miratuar ndryshimet e udhëzimit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Tatimpaguesit që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar dhe fiskalizuar fatura për furnizimet që kryejnë, do të jenë edhe tatimpaguesit që ofrojnë shërbimin taksi të pajisur me taksimetër dhe ata që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit (autobusë) në përputhje me vendimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, nëse fatura e taksimetrit, bileta ose aboneja u jepet pasagjerëve direkt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar”, përcaktohet në udhëzimin e ndryshuar.

Kontabilistët në raportin e publikuar në fund të muajit dhjetor ngritën shqetësimin e mosofrimit të zgjidhjeve teknike sipas kërkesave ligjore nga kompanitë softwarike, për rastin e kompanive hidrokarbure që nuk mund të ofrohet mundësia e stornimit të taloneve. Për sektorin e hidrokarbureve mbetej shqetësim mënyra se si do të lëshohet fatura tatimore për bizneset, që duan faturë tatimore për furnizimin që po bëjnë. Problematikat konkretisht janë për rastet sesi do të veprohet kur përfaqësues të biznesit paraqiten në zyrë me kuponat për të marr faturë fiskale? (kuponi i kasës është deklaruar si shitje normale dhe është fiskalizuar si shitje normale, por fatura nuk i ka shkuar biznesit). E paqartë është edhe mënyra se si do veprohet në raste kur punëtori i pistoletës së karburantit lëshon një faturë tatimore gabim gjatë furnizimit

Udhëzimi i ri ndër të tjera përcakton se për regjistrimin e faturave të fiskalizuara për disa sektorë të shërbimeve do të jenë të detyruar të përditësojnë të dhënat në kontratën e furnizimit. “Faturat e fiskalizuara nga subjekte që ushtrojnë aktivitet në fushën e telekomunikacionit, sigurimeve, furnizimit të energjisë elektrike dhe ujit për konsumatorët finalë, si dhe faturat mujore të lidhura me kontrata afatgjata leasing dhe fatura të ngjashme me to, të cilat lëshohen në mënyrë të vazhdueshme dhe mbi bazën e një kontrate afatgjatë të lidhur paraprakisht nga palët, do të çmohen të fiskalizuara automatikisht dhe pavarësisht statusit të blerësit. Me qëllim regjistrimin e faturave si më sipër në librat e blerjes, të gjithë tatimpaguesit blerës duhet të sigurohen për të përditësuar/saktësuar të dhënat e tyre në kontratën mbi të cilën bazohet furnizimi”, citohet në udhëzim.

Biznese të fiskalizuara deri në fund të vitit 2021 ishin 60,000 subjekte (50% e totalit që kanë detyrimin të fiskalizohen) dhe ishin pajisur me certifikatë elektronike 89,000 subjekte. Te fiskalizuar dhe që lëshojnë fatura të fiskalizuara rezultojnë 42% e bizneseve të vogla në vend. Të pajisur me certifikatë elektronike janë 71% e biznesit të vogël. Brenda 2021 fiskalizimi pothuajse u mbyll i plotë vetëm për biznesin e madh. Qeveria në ditët e fundit të vitit të kaluar miratoi vendimin për shtyrjen e periudhës pa gjoba për biznesin e vogël edhe për 6 muaj. /Monitor