Ndodh në Shkoder! Vjen me makinë nga SHBA, Dogana merr 8 milionë Lekë dhe i prish mjetin…

Sokol Gazulli denoncon në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se në vitin 2010, kur vendosi të lërë SHBA-në dhe të kthehet në Shqipëri, mori me vete dhe autoveturën personale.

Sipas ligjit të Doganës, Sokolit duhet t’i hiqej detyrimi doganor. Shuma e doganës lihet e ngrirë në bankë dhe nëse ndodhet për 2 vjet në Shqipëri, kjo makinë nuk shitet apo del jashtë vendit, shumën e merr personi që kishte lënë si garanci.

Në Doganën e Durrësit, pas këmbënguljes së Sokolit makina u la e lirë, por kjo Doganë nuk ka bërë hyrjen e automjetit në sistemin TIMS. Këtu nis dhe problematika për Sokolin, i cili ra viktimë e burokracisë dhe sistemit të korruptuar gjyqësor.

Denoncuesi: Unë jam Sokol Gazulli nga Lezha. Kam banuar në Kanada, në Amerikë. Kam shtetësi të dyfishtë. Në vitin 2010 jam kthyer në Shqipëri sepse edhe ishte kriza ekonomike atëherë edhe kisha nevojë për familjen e që të ju rrija afër prindërve. Në vitin 2010 u ktheva përfundimisht, mora dhe veturën personale që e kisha blerë dhe përdorur atje dhe do ta përdorja prapë këtu. Unë erdha në Mars 2010, vetura ka ardhur në Maj, ka ardhur më vonë sepse vjen me kontenier dhe jam njoftuar në Maj dhe kam shkuar tek Porti i Durrësit. Aty jam ndeshur me kërkesën e doganierëve të Durrësit për të paguar detyrimet doganore për detyrimet e importit. Aty kam thënë “pse të paguaj detyrime importi”. Kjo është vetura ime dhe nuk e kam ditur se ka një ligj të Doganave që ka përjashtime. Ndërkohë unë fola dhe me nëndrejtorin e Doganës së Durrësit, i shpjegova që unë kam shtetësi të dyfishtë, kam pasaportë të huaj dhe kam ardhur të jetoj këtu dhe pse po më kërkoni detyrim doganor për mjetin tim? Ai e shikoi dhe tha “ty duhet me të lënë që të dalësh nga porti, pse të të pengojnë?”. Atëherë i thirri në telefon nënkryetari i Doganës së Durrësit, i thirri punonjësit tek kioskat dhe i pyeti se “pse nuk e lini?”. Ata thanë që “duhet paguar”. Nuk e di si kam dalë. Ka qenë një tmerr i vërtetë.

Gazetari: E more makinën, por çfarë ndodhi me makinën më pas?

Denoncuesi: Pastaj makina nuk u regjistrua në sistemin TIMS. Në vitin 2014, duke u kthyer nga Tirana për Lezhë, ishte Task-Forca e Doganave që ishin duke kërkuar gjoja se kush është me makina të huaja të paregjistruara. Të gjitha dokumentet e makinës iu dhashë atyre. Më tha që po takohemi nesër tek dogana e Shkodrës dhe bisedojmë.

Sokoli kërkoi të pajiste makinën me dokumente, por duke mos e futur dogana në TIMS, pagesa nuk mund të shmangej.

Juristja: Fakti është, që unë kam vendimin dhe kam një sërë procesesh gjyqësore, në të cilët administrata doganore ka fituar dhe në këtë proces ne jemi okej.

Në këto kushte, ndërsa përdorte automjetin e tij, Sokoli ndalohet nga anti-korrupsioni i doganave dhe i bllokohet makina. Mjetin e çojnë në Doganën Shkodër, ku Gazulli doli debitor me 8 milionë Lekë të vjetra që iu morën nga banka./tvklan.al