Një lajm i mirë për futbollin, Rama shpall ndërtimin e tre stadiumeve të reja…

Qeveria ka vendosur që deri në pranverë të ftohen studio ndërkombëtare projektimi për të ndërtuar tre stadiume të reja në qytetet Durrës, Vlorë e Korçë. Përfituesit e parë nga ndërtimi i këtyre stadiumeve do të jenë ekipet e Teutës, Flamurtarit e Skënderbeut.

Në skemën e publikuar me dorë nga kryeministri në rrjetet sociale, duket më vete edhe stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë, në përdorim nga KF Tirana, por që ka mbetur i bojkotuar deri tani.

Kështu, kolanës së stadiumeve moderne si Air Albania, Elbasan Arena, Loro Borici në Shkodër e Kukës Arena në Kukës, do ti shtohen edhe këto katër stadiume që pritet të ndryshojnë totalisht infrastrukturën sportive për këto qytete që e duan futbollin.

Nuk është bërë e qartë nëse këto do të jenë tërësisht investime të qeverisë apo në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, sikurse kanë qenë stadiumet që janë ndërtuar deri më tani.

Por duket se raportet e maxhorancës me Federatën Shqiptare të Futbollit kanë ndryshuar shumë ndryshe nga fillimi i vitit të kaluar kur pati një përplasje të ashpër mes kryebashkiakut të Tiranës Veliaj dhe kreut të FSHF-së Armand Duka. Lajm i mirë për sportadashësit ky i ndërtimit të stadiumeve të reja pavarësisht debateve që mund të kenë aktorët mes tyre.