OPINION/ Velipoja “turistike” pas masakres shteterore!

Nga Bepin Kolvata

Në Shqipërinë e varfër, jo nga Zoti por nga mendja djallëzore e njeriut, problemet sa vijnë dhe shtohen. Jemi në ditet e fundit të qershorit dhe korriku e gushti, do të duhej të shënonin pikun e turizmit. Këtë vit, të vetëdijshëm se ky “rekord” shifrash do të mungonte për shkak të pandemisë Covid, efektet e të cilës vijojnë, u mendua dhe shpresua që së paku të gjithë do të kishin një qasje tjetër.

Pushuesit të zgjidhnin atdheun e tyre, qeveria të ndihmonte me politika lehtësuese e promovuese këtë sektor, si dhe vetë biznesi pse jo, me çmime më të lira e shërbim të shtuar, të mund të rikuperonte diçka (sepse siç thotë një shprehje e vjetër “dhjamë nga pleshti nuk mund të nxjerrësh”). Por jo, e nisëm edhe këtë herë me këmbën e mbrapshtë!

Sezonin e çelëm me fadroma që rrafshonin objekte që për vite të tëra kishin qenë aty, në brezin rënor (diku me ndonjë letër gjysmë- leje, e diku pa leje). Por me apo pa leje, pak efekt do të bënin edhe për një 2- mujor plazhi që parashikohet ky i këtij viti. Meqenese shteti u kujtua të gódasë “paligjshmërinë”, së paku të kujdesej për t’i pastruar me shpejtësi, siç bëri kur i rrafshoi, ditën dhe natën.

Këtë në fakt nuk gjeti kohë e as vullnet dhe gërmadhat janë aty, bashkëjetojnë me pushuesit në Velipojë dhe do të presin 1 korrikun, për të uruar mirëseardhjen në plazhin më të madh të veriut. E gjitha kjo lojë në emër të ligjit, me prapaskena të errëta që mendjet djallëzore me pushtet zhvillojnë, ka vetëm një efekt: SHKÁTËRRÍMIN.