Pa maskë në rrugë, Policia gjobit 356 qytetarë. S’mungojnë as shoqërimet në komisariate

Vijojnë gjobat nga ana e Policisë së Shtetit për qytetarët që nuk respektojnë mbajtjen e maskës.

Siç njofton Policia, gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur 356 qytetarë.

Ndërkohë, edhe gjatë 24 orëve të fundit nuk kanë munguar qytetarët të cilët kanë refuzuar që t’i japin gjeneralitetet policisë.

Nisur nga kjo, ato janë shoqëruar në Komisariat dhe më pas janë lënë të lirë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Vijojnë në të gjithë vendin, kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave anticovid. Krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, punonjësit e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar një ulje të ndjeshme të qytetarëve që nuk zbatojnë masën për mbajtjen e detyrueshme të maskës. Shumica e qytetarëve, edhe gjatë mbrëmjes së djeshme, edhe gjatë ditës së sotme i kishin vendosur maskat mbrojtëse.Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 356 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Edhe numri i qytetarëve që kanë tentuar t’i shmangen masës administrative duke mos i dhënë gjeneralitetet punonjësit të Policisë, kur janë konstatuar pa vendosur maskën, është ulur gjatë 24 orëve të fundit. Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi”.

Kujtojmë se vlera e gjobës për shkelësit është 3 mijë lekë të rinj, ndërsa për përsëritësit 5 mijë lekë të rinj.

Pagesa e saj bëhet përmes faturës së energjisë elektrike.