Rama paralajmëron për një valë tjetër të virusit: Duhet të jemi gati!

Pavarësisht se duket sikur situata me koronavirusin po normalizohet, kryeministri Edi Rama thotë se duhet të jemi të përgatitur, pasi mund të ketë një valë të dytë.

Nga QSUT, ku inspektoi disa punime, Rama tha se hapja graduale po i relakson njerëzit, por kjo duhet të rrisë më shumë vigjilencën.

Edi Rama: Një zot e di çfarë do jetë e nevojshme, por ne duhet ta përgatisim sepse çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të jemi gati. Është shumë problem kjo situatë e hapjes, sepse edhe mënyra si shkoi gjëja, njerëzit u relaksuan. Shumica e kupton që ishte rezultati i shtrëngimit të fortë, por megjithatë jeta, rutina zakonet janë të forta, kështu që ne duhet të përgatitemi për eventualitetin e një vale tjetër. Po lexoja një artikull për gripin spanjoll. Do zoti mos na sjellë përpara kësaj sprove, por megjithatë duhet të jemi të përgatitur.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu tha se ndërkohë që po përgatitën të mbyllin spitalin COVID 2, janë duke bërë gati COVID 3 në QSUT.

Ogerta Manastirliu: Jemi në hapat e fundit për të krijuar mundësinë e fillimit të asaj strukture. Aktualisht forcat janë përqendruar në QSUT. Jemi duke menduar për mbylljen e spitalit COVID 2, sepse edhe numri i pacientëve është ulur, duke u përqendruar në QSUT nga data 18. Ndërkohë COVID 3, struktura e ish-kirurgjive do të jetë gati për ta mobilizuar këtu trajtimin e pacientëve me COVID.

Ministrja e Shëndetësisë nga ana e saj ka nënvizuar angazhimin e mjekëve në betejën me Covid, ndërsa ka theksuar se ka kaluar koha kur familjarët e pacientëve i blinin ilaçet në farmaci pasi nuk ua siguronin spitalet.