Rritet numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se janë konfirmuar tre raste të reja me koronavirus, duke e çuar në total 15 numrin e të prekurve.

Ndërkohë, kanë dalë edhe rezultatet e analizave të 50 mjekëvë dhe infermierëve të spitalit të Durrësit, të cilët patën kontakt me të moshuarën që ndërroi jetë. Nga përgjigjet e testimeve rezulton se asnjë nga personeli mjekësor nuk është i infektuar.

Njoftimi i ministrisë së Shëndetësisë:

Tre rastet e reja, kontakte të ngushta të rastit të parë të konfirmuar. 50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë për COVID-19

Tiranë, 11 Mars- 50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë në testin për COVID-19. Ndërkohë kanë përfunduar testimet pasditen e sotme për gjithsej 84 të dyshuar, nga të cilët, 3 kanë rezultuar pozitivë në Tiranë dhe janë kontakte të ngushta të pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19.

Në total deri në këto momente, janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 15 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifkuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje, ndërsa një e moshuar 73- vjeçare ka ndërruar jetë mesditën e sotme në spitalin e Durrësit.

Gjendja shëndetësore e të prekurve paraqitet si vijon:

Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim.

Ka shkuar në 15 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Janë 238 raste të testuara dhe 15 raste pozitive. Sot kemi testuar 84 raste. Janë 34 raste, ku 31 prej tyre kanë dalë negative dhe vetëm tre pozitive”, tha ministrja.

Po ashtu ministrja ka bërë me dije se kanë dalë rezultatet e stafit mjekësor në Durrës të cilët patën kontakt me 73-vjeçaren që humbi jetën nga koronavirusi.

Manastirliu theksoi se janë kryer 50 teste dhe kanë rezultuar negativë me virusin e ri.  “Sot kemi testuar 84 raste ndër të cilët 50 personel mjeksor që kanë rezultuar negative. Dua të njoftoj se të gjitha testimet, e mjekëve dhe infermierëve kanë rezultuar negative. Kjo do të thotë se mjekët dhe infermierët kanë punuar me udhëzimet e MSH dhe të OBSH-së”, tha Manastirliu.