Shëtitorja në Shkodër kthehet në pistë patinazhi prej ujit dhe luleve, një grua në spital…

Shëtitorja “Kolë Idromeno” në Shkodër është kthyer paraditen e kësaj të hëne në një vend të rrezikshëm si për këmbësorët ashtu edhe për biçiklistët.

Disa prej tyre kanë rrëshqitur si pasojë e pranisë së ujit që krijon një terren të rrëshqitshëm kur bashkohet me pluhurin e luleve të blirit.

Kjo situatë është krijuar pas ujitjes së luleve përreth këtyre pemëve. Më e lënduar nga ky fenomen rezultoi një grua e cila është transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës. Pas këtyre incidenteve kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të larë të gjithë pedonalen duke e pastruar nga ky efekt rrëshqitës që rezulton shumë i rrezikshëm për përdoruesit e kësaj shëtitoreje si për këmbësorët ashtu edhe për biçiklistët.