Shkodër, fillon Shkolla Rinore Ballkanike Shqiptare

Në qytetin e Shkodrës është organizuar aktiviteti i prezantimit të projektit “Shkolla Ballkanike Shqiptare”, që organizohet nga shoqata “Istanbul” në partneritet me shoqatën “Përpjekje” dhe me mbështetjen e Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Aktivitetin e përshëndeti kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj, i cili tha se pjesëmarrësve të këtij aktiviteti u jepet mundësia të marrin informacion, të diskutojnë dhe të aftësohen rreth tematikave të trajtuara nga lektorë me përvojë.

“Bashkëpunimi me YTB-në në kuadër të këtij projekti ka qenë mjaft rezultativ dhe ka sjellë edhe frytet e veta. Këtë vit ka interes të shtuar dhe kërkesa të shumta nga të rinjtë për pjesëmarrje në seancat e seminareve. Këto bashkëpunime përveçse shkëmbim përvoje, janë edhe një instrument mjaft i rëndësishëm për forcimin dhe thellimin e miqësisë mes dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Turqisë”, tha Seferaj.

Sipas tij, për tematikat që do të trajtohen gjatë projektit, janë marrë në konsideratë edhe sugjerimet e të rinjve pjesëmarrës nga viti i kaluar.

Sefaraj tha më tej se “ky aktivitet është i një rëndësie të veçantë, pasi ka si grup të synuar të rinjtë dhe të rejat, të cilët janë pjesa më vitale e shoqërisë.”

Është viti i tretë radhazi që shoqata “Istanbul” në partneritet me shoqatën “Përpjekje” dhe me mbështetjen e YTB-së, organizon programin e trajnimit në kuadër të projektit “Shkolla Ballkanike Shqiptare”.

Ky projekt konsiston në organizimin e një cikli seminaresh me karakter trajnues, ku trajtohen tematika kulturore, fetare, filozofike dhe historike.

Programi i trajnimit ka si grup të synuar të rinjtë dhe synon sensibilizimin e kësaj kategorie për rolin që duhet të ketë në shoqëri dhe mbajtjen e saj larg fenomeneve negative, ndërsa pjesëmarrësve të programit për gjashtë javë do t’u jepet mundësia të diskutojnë rreth tematikave që do të trajtohen nga lektorë me përvojë nga Shqipëria.

Në fund të programit trajnues, pjesëmarrësve do t’u jepet mundësia të vizitojnë për disa ditë Turqinë që të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e këtij vendi.