Shqiptarja e Kinës del e pastër, Turqia: asnjë shenjë koronavirusi midis të evakuuarve nga Wuhan

Ministri turk i shëndetësisë njoftoi të dielën se testet e mostrave për 42 të evakuurit të sjellë me avion nga Wuhan, Kinë – epiqendra e shpërthimit të koronavirus – do të mund të dalin të hënën.

Duke folur para mediave në kryeqytetin Ankara, Fahrettin Koca përsëriti se nuk kishte shenja të koronavirusit midis të evakuuarve, të cilët mbërritën në Ankara të shtunën në darkë, dhe se asnjë rast me koronavirus nuk ishte diagnostikuar në Turqi.

“Falë përvojës sonë, organizimit të fortë shëndetësor dhe stafit dinamik, ne ishim ndër vendet e para që morëm masa,” tha Koca.

Avioni i tipit A400M i Forcave të Armatosura Turke u nis nga Wuhan-i të shtunën me të evakuuarit, përfshirë edhe një shtetase shqiptare, së bashku me shtetasit turq, ata të Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, pasi stafi shëndetësor konfirmoi se ata nuk mbartin ndonjë simptomë të virusit.

Koronavirusi, i quajtur kështu sepse në mikroskop ngjan me një kurorë, ka vrarë të paktën 304 njerëz në Kinë, me mbi 14,000 të infektuar.

Që nga shpërthimi i saj në fund të vitit të kaluar, Kina e ka futur Wuhan-in në karantinë në përpjekje për të përmbajtur virusin dhe po ndërton një spital me 1000 shtretër për të trajtuar të prekurit.

Përveç Kinës, virusi është përhapur në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SH.B.A., Singapor, Francë, Vietnam, Malajzi, Kamboxhia, Sri Lanka, Filipine, Indi, Nepal dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan. /tesheshi.com/