Spahia “rrëzon” Komitetin e Teknikëve: Pse koronavirusi preku Shqipërinë që në janar

Ish-deputeti i PD-së, njëherazi ish-zv. ministri i Shëndetësisë Bardh Spahia ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka aktruar në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve, anëtarët dhe kryetarja e së cilës sipas tij janë shpallur prej vetë Ramës.

Spahia thotë se në mbledhjen e sotme ishte Rama ai që përcaktoi radhën e fjalës edhe për vetë “kryetaren”, të cilët renditën sukseset pa shtruar asnjë problematikë lidhur me situatën e Covid.

Ai sjell në vëmendje imazhet e publikuara se virusi ka qenë në Shqipëri në Janar, të cilat u hodhën poshtë në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve.

“Komiteti i Eksperteve, teatri personal i kryeministrit. Rama shpall kryetaren e komitetit teknik të ekspertëve për situatën e Covid-19, zv.ministren e shëndetësisë. Por ky “anëtari-kryeministër” e mbledh komitetin dhe u jep leje të flasin me rradhë, përfshi “kryetaren” e komitetit. Sukseset që renditen janë qershia mbi tortë.

Vetëm arritje dhe asgjë për t’u rishikuar a reflektuar! Madje edhe faktet se Covidi është shfaqur që në janar nuk vlejnë. Mjekë imazheristë, u janë rikthyer kontrolleve që kanë bërë në Janar dhe kanë publikuar pamje imazherike ku dallohen shenjat e Covid.

Ato janë fakte me figurë. Po aq kokëforte si fakte janë tabelat zyrtare të sistemit alert për rastet e gjendjeve virale me temperaturë të lartë deri në 2 Mars 2020. Nga tamponët e realizuar në këta pacientë me gjendje febrile, plot 62.5% rezulton JO grip stinor! Pra ka qenë Covid?

Këtë “ekspertët” nuk e shpjegojnë, e as pamjet imazherike të specialistëve të fushës. Virusi ka qenë në Shqipëri në që Janar, por ekspertët e Ramës e mohojnë pa sjellë asnjë fakt, por duke dhënë vetëm opinionin që i pëlqen kryeministrit.

Asnjë studim nuk ka as se sa qytetarë e kanë kaluar, sepse Edi Ramës nuk i pëlqen e vërteta, por vetëm trillimi i vet dhe “ekspertët” bëhen verbtazi pjesë e llogarive personale politike të kryeministrit! Të rrojë partia e vazhdojmë sipas skenarit!”, shkruan Spahia.