Tare nxjerr dokumentin e CIA-s dhe ironizon postimin e ish-deputetit: Nuk është Nard Ndoka, ky u mëson të rinjve historinë në Universitet

Studiuesi Auron Tare që hapi debatin mbi dy shkrimtarët e njohur Martin Camaj dhe Ernest Koliqi ka reaguar pas deklaratave të ish-deputetit demokrat Romeo Gurakuqi, i cili është historian.

Tare në një postim në faqen e tij në Facebook ironizon Gurakuqin dhe thotë se është në dilemë për të nisur ditën me buzën në gaz apo të shkulë flokët nga ato që dëgjon.

Gjithashtu ai ka publikuar edhe një dokument nga arkivi i CIA-s, ku thuhet se Nikoll Gjonamarkaj dhe Pal Mirakaj janë furnizuar në mënyrë të bollshme me të holla për t’u argëtuar gjatë qëndrimit në Beograd.

Shkruan Tare:

Të nisësh të dielën me buzën në gaz apo të shkulësh flokët? Kjo është çështja kur dëgjon “historianë” që mësojnë brezin e ri në këtë vend:

“Ernest Koliqi ishte një pikë referuese për perëndimin se e dinin se nga çfarë qyteti vinte… Blloku Kombëtar Indipendet, partia më europianiste që ka formësuar Shqipëria, Parti neo konservatore e formatit britanik

Please mos qeshni, nuk është Nard Ndoka, por është Romeo Gurakuqi me profesion historian në universitet.

Ja çfarë thotë dokumenti i arkivit të CIA-s, për disa nga këta europianë neo konservatore të tipit britanik.

Sipas këtij raporti, Nikoll Gjonamarkaj dhe Pal Mirakaj janë furnizuar në mënyrë të bollshme me të holla për t’u argëtuar gjatë qëndrimit në Beograd” përfundon postimin Tare.

Publikimi i dosjes së shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nga studiuesi Auron Tare, në të cilën thuhet se kanë qenë agjentë ë UDB-së, duke u përfshirë edhe në veprimtari të tjera spiunazhi ka nxitur shumë debate.