U kap me drogë, 44-vjeçarja tregon si përfundoi transportuese…

Raida Kollobani, 44-vjeçarja e dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike,  rrëfen pse zgjodhi me dëshirën e saj të bënte “punën” e karrierës së drogës.

Ajo gjatë një interviste ekskluzive në emisionin “Sot” Euronews Albania, tha se është drejt përfundimit të dënimit të saj prej 14 vitesh burg.

Intervista

Sa vjet keni këtu në institucionin e vuajtjes së dënimit?

Në Shqipëri 3 vjet.

Për çfarë jeni dënuar?

Unë jam dënuar në Itali s’jam dënuar këtu në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike.

Sa vite je dënuar?

Jam dënuar 24 vite

Sa vite ke kryer?

Kam kryer 13.

Pse ndodhesh në Shqipëri?

Sepse dola me leje pas 10 vjetësh dhe unë erdha në Shqipëri për të parë babin.

Si është kjo histori?

Bëra 9 vjet e 10 muaj në Itali, mora një javë leje, një javë u bëra gocë e mirë, por më pas në vend që të shkoja tek tezja në Itali, erdha në Shqipëri.

E mendove që në Shqipëri do të të kapnin sërish?

Jo s’e vrava mendjen fare se nuk ishte një problem kryesor, problem ishte që të shihja babin tim se kisha 10 vite pa e parë. S’e mendova.

Si erdhi arrestimi në Shqipëri?

Kështu pa dashje, sepse ika për të bërë denoncimin e humbjes së patentës së vëllait.

Tani edhe sa vite të kanë mbetur?

Edhe tre muaj kam, se i  mbarova.

Si është gjendur një grua, ose më saktë ti në trafikun e drogës?

Unë e kam filluar herët. Fillova nga papunësia, vajzën e kam pasur të vogël. Ka gati 20 vjet më shumë.

Si ke shkuar në Itali?

Në vitin 1993, me skaf.

Cila ishe puna e parë që bëre në Itali kur shkove?

Në rrobaqepësi, palosja këmishët që i vinin gjilpërat me kokë.

Çfarë ndodhi që më pas more këtë kthesë dhe vendose të bëje një punë të paligjshme, duhet ta themi?

Merrja 350 euro në muaj, mbaja edhe tre pleq me 350 euro, derisa sa bëra dokumentet, çfarë do të bëja unë me 350 euro?

A siguron të ardhura trafikimi i lëndëve narkotike?

Unë kam jetuar.

Arrije ti që të mbuloje shpenzimet e fëmijës me fitimet e tua?

Me aq sa kam pasur mundësi, po.

Sa fitoje?

Nuk e di, varet.

Një mesatare?

Nuk e di, se varet sa rrugë bëja në muaj.

Çfarë itinerari kishe?

Brenda për brenda Italisë.

Si u lidhe me këta që të siguronin lëndët narkotike?

Nuk e mbaj mend. S’ka rëndësi, ishte diçka që e zgjodha vetë, më pëlqeu dhe e bëra. Nuk jam bërë  fare pishman nesër, pasnesër mund ta bëj prapë.

Nesër pasnesër nëse familja ime mbetet keq dhe janë duke vdekur për bukë, ose është një gjë jetë a vdekje, po ka mundësi është një gjë, unë prapë do ta bëj. Nuk e kam fshehur ndonjëherë këtë pjesë.

Ne themi trafikim se kështu e njohim si term, por çfarë është në fakt?
Llogaria e tjetrit bëhet shume kollaj, është një punë shumë e ndërlikuar dhe ti nuk merr aq sa thotë televizori. Çdo njeri ka pjesën e vetë, ka pagesën e vet, është shumë i gjatë si muhabet dhe unë lodhem ta them.

A mund t’i gjesh prapë lidhjet për të bërë këtë punë?

Zor i madh me gjet lidhjet. S’është ndonjë gjë, o ke o, s’ke, o e bo, o s’e bo atë punë lale.

Familjarët e tu  shpresojnë që t’i mos të merresh më me këtë punë në thonjëza?

Po në thonjëza kështu e them edhe unë po nesër nëse fëmijët janë duke vdekur për bukë, apo është një punë jetë a vdekje, po kam mundësi unë prapë do ta bej.