“U lirova me golin e shënuar”! I dha goditjen e fundit Partizanit, flet heroi Coba: Do arrij ta bind Josën që të më aktivizoj titullar…

Vllaznia është kthyer të marrë një fitore me shumë peshë në kryeqytet. Këtë herë shkodranët kanë mundur Partizanin me shifrat 1-2. Pjesa e parë foli vetëm për shkodranët që shpërdoruan raste të shumta. Në pjesën e dytë, të kuqtë rikthyen situatën në favorin e tyre.

Maguet realizoi golin e parë në minutën e 60, teksa sapo kishte hyrë në fushën e blertë. I njëjti futbollist shpërdoroi edhe dy mundësi të tjera të mira për të dyfishuar rezultatin. Jonuzi riktheu në lojë shkodranët me një super gol në minutën e 77, ndërsa Coba u kthye në hero me realizimin e tij në minutën e 90. Pas kësaj fitore, Vllaznia kthehet në luftën e titullit kampion. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Coba: “Në fillim e nisa me shumë vështirësi, por pastaj u lirova me golin e shënuar. Kemi pasur pak problem edhe me fushën e re, nuk jemi ambientuar me të. Golin ia dedikoj gjyshit, shpresoj se do të jetë krenar me mua. Besoj se me punën dhe këmbënguljen time do ta arrij ta bind Josën për të qenë titullar”.

Erdenis Gurishta: “I kam thënë vetëm dy fjalë shokëve para ndeshjes: “Vetëm besoni se do të fitojmë dhe flasim pas ndeshjes”. Sot ishte një fitore karakteri dhe kemi luajtur më mirë se Partizani. Unë jam një xhol për ekipin, trajneri mund të më përdori në shumë role. Sigurisht që ardhja e Sylvinhos na motivon të gjithëve. Ja kthyem reston Partizanit, pasi në fazën e parë na mundi në të njëjtën mënyrë. Kam folur me djalin e xhaxhait të Bekim Balajt. Më ka thënë se nëse do të vijë në Shqipëri, do të vijë vetëm për Vllazninë. Por duket e vështirë se ka kërkesë të lartë financiare”.

Mirel Josa: “Jam i kënaqur që ekipi fitoj. Jam i kënaqur që po më përgjigjen lojtarët. Duhet të kemi parasysh që të fitosh ndaj Partizanit të vendit të parë të jep kënaqësi. E filluam ndeshjen shumë mirë, në pjesën e parë ishim në kontroll. Duhet të konkludonim 2-3 herë në pjesën e parë. Pastaj në të dytën nuk jam i kënaqur në 20 minutat e para të saj pasi kemi gabuar në qarkullimin e topit. Të gjithë duam që t’i marrim ato fitoret radhazi. Duhet të vazhdojmë që të jemi me këmbë në tokë. Angelos Anastasiadis, ish trajneri i Greqisë, është një shembull për mua për mënyrën sesi i ndërtonte raportet me lojtarët dhe me drejtuesit. I kam thënë lojtarëve: “Festoni nja 10 minuta dhe pastaj keni punë me mua”. Coba bëri golin? Për atë punë e futëm, a e harruat ju që humbi nja 5 pasime ai para se të bënte golin?

Kolela: “Vllaznia zhvilloi ndeshje shumë të mirë, e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen. Ndoshta ishte edhe përgjegjësia ime me zëvendësimet që nuk dolën të goditura sot, por gjëra që ndodhin. Zëvendësimi i Telushit me Maget nuk doli i duhuri. Maget ka ende shumë për të mësuar sesi duhet të sillet në fushë, sesi të pozicionohet. Duhet të ulemi dhe të përmirësohemi. Duhet të kuptoni se ne nuk jemi ende ekipi që mund ta vr.asi kampionatin. Një ekip që fiton kampionatin, fiton edhe në ditët e saj më të këqija”.