Ura e Re mbi Bunë që lidh Velipojën me Ulqinin. Benet Beci zbulon detajet e marrëveshjes Shqipëri-Mali i Zi…

Mbledhja e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Malit të ZI që mbahet nesër, është një lajm i mirë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me një efekt veçanërisht pozitiv për Shkodrën si bashki kufitare me Malin e Zi. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme është dakordësimi për financimin e urës së re mbi lumin Buna dhe pikën e re kufitare mes Velipojës dhe Ulqinit.
Ura do të jetë mes fshatit Pulaj në Velipojë Shqipëri dhe Shën Nikollë në Mal të Zi në territorin e komunës Ulqin. Ura e projektuar është kompozite me trarë çeliku dhe solete beton arme, me një gjerësi prej 17 ml, me dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës me rreth 3,5 ml gjerësi secili krah. Ajo është konceptuar me 2 struktura dalluese: viadukti kryesor me 3 hapësira me një gjatësi prej 320 metër dhe në të dy krahët e tij zhvillohen 2 vaidukte aksesi me një gjatësi prej 140 metër secili.

Projekti i urës është përgatitur i tëri me financimin dhe angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë me një vlerë prej rreth 200 mijë Euro. Investimi për punimet në urë dhe pikat kufitare është rreth 20 milion Euro dhe do të bashkëfinancohet nga të dy vendet. Është një nismë e mbështetur drejtpërdrejt nga dy Kryeministrat e vendeve për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve.

Ura do t’i kursejë pushuesve apo banorëve të Velipojës që do të vizitojë Ulqinin apo anasjelltas rreth 70 km rrugë dhe më shumë se një orë e gjysmë udhëtim pa llogaritur rëndesën e pikës së kalimit kufitar të Muriqanit gjatë sezonit turistik. Ajo do të hapë një dritare të re komunikimi për bregdetin e Velipojës, duke sjellë një fluks të shtuar turizmi dhe të ardhurash në zonë.

Kam patur privilegjin që si drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit të kem ndikuar në forcimin e bashkëpunimit me Malin e Zi më specifikisht me përfaqësues politikë shqiptarë të zonës së Ulqinit. Që në vitet 2015-2016 kemi diskutuar shumë projekte të përbashkëta, si hapja e kalimit këtu në Pulaj Velipojë dhe në Zogaj në liqen, të cilat tashmë po bëhen realitet. Thellimi e lundrimi i Bunës është projekti i përbashkët strategjik në rradhë, i cili jam i sigurt se do ta transformojë ndjeshëm turizmin në zonën tonë.