Vendimet e qeverisë/ Ndihma ekonomike rritet me 10%, nga 1 korriku 2022 rritje page me 6% për mjekët dhe infermierët…

Ndihma ekonomike do të rritet me 10%. Duke filluar nga 1 korriku 2022 për mjekët dhe infermierët do të këtë sërish rritje page prej 6%.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrat prezantuan të gjitha masat e marra. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se do të ketë ndihmë dyfish për familjet me tre femijë, si dhe për fëmijët jetimë.

“Pas një periudhe të gjatë për buxhetin e vitit 2022, u mor vendimi i projektbuxhetit për vitin 2022 dhe kërkojmë të bisedojmë me qytetarët politikat e reja. Këto politika të reja dhe programe që kemi miratuar do të ndikojnë direkt në mbështetjen e qytetarëve në nevojë, shtresave që mbështeten nga programet tona.

Programi i ndihmës ekonomike si një mburojë sociale, do të rrisë masën ekonomike për të gjithë në masën 10%. Do të dyfishojmë masën e mbrojtjes për fëmijët jetimë, edhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara do të ketë një rritje me 3 herë të masës ekonomike.

Për të vijuar me mburojën sociale për kategoritë në nevojë për shtresat që mbrohen me subvencionin e energjisë elektrike, do të alokohen nga buxheti i shtetit 45 mln dollarë; do të ketë një rritje të buxhetit për personelin mjekësor, do t’u rritet paga me 6%, pra mjekë dhe infermierë, nga 1 korrik 2022”, tha Manastirliu.

Përpos mjekëve dhe infiermierëve, në projektbuxhetin 2022 parashikohet rritje page edhe për mësuesit, në masën 6%. Ministrja e Arsimit deklaroi se rritje page do të përfitojnë edhe punonjësit psikosocialë.

“Projektbuxheti 2022 sjell shumë lajme të mira për sistemin pasuniversitar dhe arsimin e lartë. Së pari, dua të ndaj lajmin për të gjithë mësuesit, rritje paga me 6% vitin e ardhshëm, premtim i mbajtur, në mandatet e kaluara e kemi rritur pagën herë pas here. Premtimi është që brenda këtij mandati, pagat të rriten me 40%.

600 punonjës psikosocialë japin kontribut shumë të rëndësishëm, prandaj mirënjohjen e shprehim jo vetëm me fjalë, por edhe me mbështetje financiare. Një nga objektivat tona për arsimin e lartë është ndërkombëtarizimi i universiteteve. Këtë herë ne do kemi një buxhet për të mbështetur këto projekte për bashkëpunimin me universitetet europiane dhe botërore”, tha Kushi.

Rriten pagat edhe për punonjësit e Burgjeve

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se do të rriten pagat e punonjësve të burgjeve njësoj si për punonjësit e Policsë së Shtetit, ndërkohë që do të ketë trajtim financiar edhe për njësinë antikorrupsion, me qëllim që të shmangin korrupsionin.

Për punonjësit e policisë që ushtrojnë detyrën jashtë vendit do të këtë bonus

Punonjësve të policisë që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit do të përfitojnë bonus, njoftoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Rritje e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit, e cila do vijë në formën e bonusit, që do çojë deri në 150% pagat e punonjësve që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit. Lajmi i dytë që vjen me këtë buxhet është rritja e investimeve në Policinë e Shtetit në infrastrukturën dixhitale dhe teknologjinë. Do rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit”, tha Çuçi.

Fond për pastrimin e territorit. Në vitin 2022 do të ketë rikualifikim të të gjitha pikave hyrëse dhe dalëse të Shqipërisë

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se kërkesa për pastrimin e Shqipërisë tashmë është reflektuar edhe në projektbuxhetin e vitit 2022, si dhe do të ketë edhe një rikualifikim të të gjithave pikave hyrëse dhe dalëse të Shqipërisë.

“Në buxhetin e vitit 2022 është mbështetur pastrimi i territorit dhe të mbetjeve me një buxhet që do t’i japë mundësisë që të ndërhyjë me instrumente për të mbështetur Bashkitë. Fondi rerezvë për mbetjet, që do të ecë paralel me performancën e bashkive, sidomos në bashkitë bregdetare. Ndërhyrje e qeverisë dhe fondi rezervë. Rikualifikim të të gjitha pikat hyrëse në të gjithë Shqipërinë. Prioriteti i bregdetit për zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e mbetjeve janë kryesore”, bëri të ditur ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Buxheti i vitit 2022 do të mbështesë fermerin dhe peshkatarë

“Buxheti i 2022 do mbështesë objektivat e qeverisë për mandatin e ardhshëm. Do mbështeten fermerët që nga prodhimi deri në agropërpunim, peshkatarët, anijet dhe flota e peshkatarëve, për një zotim që ne kemi mbajtur tashmë përmes këtij buxheti. Ne do të injektojmë financim aty ku produktiviteti do të jetë i lartë që të lidhim të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. Buxhet për bazën e bujqësisë, që është siguria ushqimore, do investojmë në rritjen e kapaciteteve të institucioneve që ruajnë sigurinë ushqimore në vend, teknologjinë e tyre.

Do mbështesim turizmin rural, një prioritet i vendosur në tre vitet e fundit, sepse është një motor zhvillimi. Do të rinovohet flota e peshkatarëve. Investimi do të shkojë direkt tek fermerët. Në javët në vijim do të japim detajet se si do të bëhet ky investim.  Do të shtojmë vlerën  e produktit në Shqipëri. Investime do të shkojnë edhe për dixhitalizimin e sistemit në bujqësi. Është një buxhet i menduar mirë për të zgjidhur problematikat”, deklaroi ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Ibrahimaj: Rritja e ekonomisë, falë reformave të ndërmarra

Të gjitha reformat e ndërmarra ndër vite janë duke dhënë frytet e veta. Ekonomia shqiptare gjatë këtij viti është rritur me një normë rritëse më të lartë se gjithë rajoni. Në tremujorin e parë ne u rritëm me 5.5%, në tremujorin e dytë, me 18%. Këto rritje nuk vijnë vetë, nuk vijnë në mënyrë natyrale, vijnë si pasojë e gjithë reformave të ndërmarra infrastrukturore në të gjithë sektorët. Rritja që patëm në T2 ishte shpërndarë në të gjithë sektorët dhe kjo do të thotë që nismat e qeverisë, deri tani, kanë qënë të shpërndara dhe kanë adresuar të gjithë sektorët.

Projektbuxheti që do të paraqitet në Kuvend shumë shpejt parashikon një rritje të shpenzimeve qeveritare në të gjithë sektorët kryesorë, pra në shëndetësi, në arsim, në kulturë, në bujqësi dhe në infrastrukturë. Të gjitha këto rritje do të përcillen në një rritje në vitet në vijim në nivelin 4%.

Projektbuxheti që paraqitet ka disa kryefjalë dhe jo vetëm një. Duke vijuar me axhendën e konektivitetit që lidhet me rritjen e investimeve në infrastrukturë, duke vazhduar me mbrojtjen sociale, rritja e produktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Do të ketë në kryefjalë të saj rritjen e ligjshmërisë, duke forcuar strukturat e antikorrupsionit dhe ombrellë mbi zhvillimin ekonomik të vendit do të jetë dixhitalizimi, i cili do të jetë i shtrirë në të gjithë sektorët, me qëllim që ne të zhvillohemi, të ofrojmë shërbim më të mirë për qytetarët , të rrisim eficencën në administratën publike dhe në përdorimin e fondeve publike./Monitor/