VIDEO/ Plori: Jam djalë nga Shkodra, askush më shumë se unë nuk e do fitoren e Vllaznisë…

Vllaznia pret këtë të diel Skënderbeun në “Loro Boriçi”, që për shkodranët duhet të jetë pika e kthesës në kampionat, ku fitorja mungon prej shumë javësh. Trajneri Elvis Plori, në konferencën për shtyp të rastit dhe se shpreson që ndeshjet e radhës skuadra të zhbllokohet, pasi ka shënuar shumë pak kohët e fundit.

“Duhet vlerësuar maksimalisht edhe kjo ndeshje, duke ditur edhe ecurinë jo shumë të mirë që kemi pasur në ndeshjet e fundit, ku në 5 javë kemi 2 humbje dhe 3 barazime. Po shënojmë shumë pak, kështu që duhet ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë sfidë dhe të jemi shumë seriozë në fushë. Shpresojmë që dy ndeshjet e radhës të na japin frymëmarrje, e rëndësishme është që pjesa ofensive e skuadrës sonë të funksionojë më mirë, sepse në ndeshjet e fundit nuk e ka bere si duhet këte gjë. Duhet që ndaj Skënderbeut ato mundësi e raste që do të na krijohen, t’i shfrytëzojmë dhe të marrim fitoren.”

Plori e ndien shumë presionin e fitores, pasi që kur mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Brdaricit, ende nuk ka shijuar suksesin.

“Edhe unë ndihem keq kur dëgjoj të thuhet se kur do ta marrë fitoren e parë Plori. Ndihem keq nga kjo situatë e krijuar. Gjithsesi, unë jam një djalë nga Shkodra dhe kam pasur mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe. Më shumë së unë besoj se askush nuk e do më shumë fitoren dhe deri tani mund të them se kemi bërë vetëm një punë të mirë: kualifikimin në finalen e Kupës. Vetëm aty jam ndier mirë dhe shpresoj që deri në fund të kemi edhe shumë momente të tjera të tilla dhe të arrijmë objektivat që kemi.”