Vllaznia fiton ndaj Partizanit dhe hedh një hap drejt gjysmëfinales së Kupës…

Vllaznia ka mundur Partizanin me shifrat 3-1 në Shkodër, duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.

Në një ndeshje te luajtur në një terren të rënduan nga shiu gjatë 90 minutave, shkodranët ishin ata që u përshtatën më mirë. Një gabim i Alban Hoxhës në start i dhuroi golin Kainës i cili përfitoi nga kontrolli i gabuar i portierit për të çuar topin në rrjetë. Më pas ishte Çoba që dyfishoi shifrat dhe shkodranët vazhduan sulmet duke kërkuar të mbyllnin ndeshjen.

Goli i Matondos në fundin e pjesës së parë la të mendohej se mund të kishte kthesë në fraksionin e dytë të lojës. Por të kuqtë nuk ia dolën të shfaqnin asgjë nga repertori i tyre dhe Vllaznia përfitoi duke shënuar edhe golin e tretë e duke iu afruar disa herë thellimit të diferencës.

Në fund, shifrat 3-1, vendosin shkodranët në një pozicion komod për ndeshjen e kthimit, ku mund të administrojnë me qetësi rezultatin për të arritur katërshen e më të mirëve në Kupë.