7 zonat “e nxehta” të kultivimit të kanabisit, Shkodra mban vendin e parë…

Këto janë pamjet e parcelave të mbjella me kanabis në malësinë e Shkodrës, të zbuluara pak ditë më parë nga kontrollet e policisë dhe monitorimi ajror i Guarda Di Finanza. Mbi 4200 bimë të asgjesuara të kultivuara në sipërfaqe të vogla dhe të ndara me nga 15 deri në 20 fidanë, siç shihet dhe në këto foto.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti në të gjithë vendin janë asgjesuar 46 205 bimë dhe 3800 fidanë kanabis në kubikë. Referuar statistikave të regjistruara këtë vit, ka një ulje të numrit të bimëve të asgjesurara krahasuar me një vit më parë konkretisht 37% më pak.

Rritje ka shënuar zbulimi i rasteve të kultivimit në ambjente të mbyllura, 38 raste shumë më shumë se në 2021 ku në 6 muaj vetëm 3 ‘shtëpi bari’ u zbuluan nga policia.

Malësia e Shkodrës, Lezha, Malësia e Krujës, Vlora, Tepelena, Gjirokastra dhe Malësia e Tiranës janë zonat e evidentuara si më problematike sa i takon kultivimit të kanabisit në toka të hapura kryesisht bujqësore.

Por krahas kësaj mënyre të kultivimi apo dhe asaj në ambiente të mbyllura, nuk kanë munguar as tentativat e mbjelljes së bimës në oborret e banesave. Rasti më i fundit u zbulua një ditë më parë nga policia e Kamzës, ku në pranga përfunduan babë e bir pasi në oborrin e shtëpisë së tyre në Babrru kultivonin kanabis në vazo./tvklan/