UEFA shtyn Kampionatin Evropian deri më 2021

UEFA ka vendosur që Kampionati Evropian që ishte planifikuar të fillojë në qershor të këtij viti të shtyhet për në vitin 2021, në mënyrë që klubet të kenë mundësi t’i përfundojnë sezonet në kampionatet vendore këtë sezon, shkaku i situatës që është krijuar nga kriza e koronavirusit.

Lajmi u bë fillimisht i ditur nga Federata e Futbollit e Norvegjisë, që e konfirmoi lajmin për shtyrjen e Kampionatit Evropian para edhe vetë UEFA-s. Sipas tyre, EURO do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021, raporton Gazeta Express.

“UEFA ka vendosur që Kampionati Evropian të shtyhet deri në vitin 2021. Do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm”, shkruan Federata norvegjeze.

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin e kishte thirrur takimin me përfaqësuesit e të gjitha 55 Federatave anëtare, Shoqatës së Klubeve Evropiane, Ligave Evropiane dhe Unionit të Futbollistëve Botërore (FIFPro). Ky takim ishte ftuar ta diskutuar përgjigjen e futbollit ndaj krizës së koronavirusit.

Futbolli në shumicën e vendeve në Evropë është ndalur përkohësisht. Vendet e vetme në Evropë ku u luajt futboll në nivelin e parë të shtunën ishin Rusia, Turqia, Hungaria, Serbia dhe Ukraina. Ndeshjet e Turqisë u zhvilluan prapa dyerve të mbyllura. Të hënën, Federata hungareze lajmëroi se liga është suspenduar.