Brdariç largon Tiranën: Janë thashetheme, Kupën e sjellim në Shkodër…

Nesër në “Air Albania” do të luhet finalja e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend, Kupa e Shqipërisë. Në duelin që do të dhurojë trofeun, do të përballen Skënderbeu dhe Vllaznia, dy outsider për këtë finale që gjithsesi Thomas Brdariç dëshiron ta fitojë me çdo kusht për ta ajellë në Shkodër.

“Fitimi i Kupës është i rëndësishëm për mua dhe skuadrën, pasi është speciale ta mbyllësh sezonin me trofe. Jemi të bindur për ta fituar këtë ndeshje. Duhet ta marrim Skënderbeun shumë seriozisht, pasi edhe ata kanë dhuruar performanca pozitive dhe qëndruan në Superiore. Ne e dimë që duhet të jemi në maksimumin tonë për të fituar ndeshjen nesër”.

Nuk mund të shmangej gjatë konferencës pyetja për zërat mbi Tiranën që për trajnerin Brdariç janë thashetheme dhe nuk kanë aspak rëndësi pasi sipas tij e ardhja do të vendoset pas finales së Kupës.

“Dikush mund të ketë shpërndarë një thashethem apo fjalë, pasi e dimë që është fundi i sezonit dhe po tentohet të merren lojtarë apo trajnerë. Dikush mund të mendojë për mua, por askush nuk ka folur me mua. E ardhmja ime nuk varet nga ndeshja e Kupës, por është një finale dhe duam ta fitojmë, për të treguar që jemi më të mirë se Skënderbeu dhe për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon. Pres që fillimisht sponsori Xhaferri të marrë drejtimin e klubit dhe më pas do të ulemi të diskutojmë, por për momentin jam i përqendruar vetëm te finalja e Kupës”.

Në fund për trajnerin gjerman është tepër zhgënjyese që nuk do të ketë tifozë ndërsa tha se i pëlqen presioni që ka skuadra për të fituar Kupën.

“Është zhgënjyese që nuk do të ketë asnjë tifoz, pasi të dy ekipet e meritojnë ta luajnë këtë finale me publik. Kam parë shumë ngjarje ku ka grumbullim masiv njerëzish dhe nuk e kuptoj si nuk lejohen tifozët në një finale, ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Shpresoj ta mendojnë edhe njëherë dhe të na bëjnë një surprizë nesër. Më pëlqen presioni, pasi duhet të jesh i kujdesshëm. Ne kemi strategjinë tonë, kemi stilin tonë të lojës dhe duhet të shijojmë ndeshjen, të jemi të uritur, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të fituar finalen nesër”, përfundoi trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.