Covid-19, rritje e shifrave në vend/ A do ketë karantinë të dytë? Manastirliu: Komiteti i Ekspertëve vlerëson se…

“Situata po monitorohet me shumë kujdes. Edhe pse shifrat janë rritur këto ditë, Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se nuk ka kthim mbrapa por ka nevojë për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat, që të kufizojmë përhapjen e COVID19, ndërsa sistemi shëndetësor po përgatitet për forcimin e kapaciteteve”.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mjekësore të Bashkimit Europian për përballimin e epidemisë në vend.

Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me Ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca kanë vizituar Spitalin Universitar të Traumës ku kanë mbërritur pjesa e dytë e pajisjeve, mbështetje për institucionet shëndetësore shqiptare, ndihmë nga Bashkimi Europian, duke theksuar se do të vijojë forcimi i kapaciteteve të sistemit shëndetësor për përballimin e luftës kundër COVID19.

“Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri. Ne jemi duke u përgatitur për forcimin e kapaciteteve. Siç bëmë me spitalin e ri karantinë, jemi duke përfunduar përshtatjen e një strukture tjetër brenda QSUT, po fuqizojmë kapacitetet për testimet ndërsa po forcojmë kapacitetet me aparatura mjekësore për të përballuar situatën.

Ndaj edhe këto 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e Urgjencës Kombëtare dhe 15 respiratorë transporti, e një seri aparaturash jetëshpëtuese do të rrisin kapacitetet e reanimacioneve në spitalet tona”,u shpreh Manastirliu.