EMRI/ Zgjidhet kreu i ri i SPAK…

Altin Dumani është zgjedhur drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Prokurori Adnan Xholi ka marrë 1 votë nga anëtarët e KLP, ndërsa Dumani dhe prokurori Ervin Kondili kanë marrë nga 5 vota duke bërë që të votohen në raundin e dytë.

Dumai është shpallur fitues me 5 vota kundrejt 4 votave të Kondilit, duke u emëruar kreu i ri i SPAK.

Dumani e merr postin, e mbajtur deri tani nga Arben Kraja, në datën 19 dhjetor, për një mandat tre vjeçar.

Gjatë prezantimit të kandidaturës së tij para anëtarëve të KLP-së, Dumani vuri theksin te një sërë çështje me rëndësi ku do të fokusohen hetimet e Prokurorisë Speciale si ndaj korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar edhe rëndësinë e përshpejtimit të kohës së hetimeve.

I pyetur për hetimin e zyrtarëve të lartë, Dumani u shpreh se nuk ndikohet nga asnjë emër, por bazohet vetëm te provat për një proces sa më të saktë hetimor.