Gjykata pezullon garën në FSHF: Nuk ka zgjedhje në 2 mars pa u shqyrtuar paditë! Pezullohen të gjitha vendimet e marra deri më tani

Gjykata ka pezulluar garën e 2 marsit për zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit në të gjithë vendin.

Është Gjykata e Tiranës ajo e cila ka bllokuar garën në FSHF gjer në shqyrtimin e padive për manipulime dhe të gjithë dosjes voluminoze të Shoqatave Rajonale ku sipas tyre faktojnë trukimet për zgjedhje.

Gjykata e Tiranës ka vendosur që FSHF nuk mund të bëjë zgjedhjet pa u shqyrtuar më parë ankesat në gjykatë, të cilat janë në fakt nga të gjithë shoqatat rajonale të sportit të cilat në kallëzimet e tyre kanë shprehur shqetësime për trukim të numrit të delegatëve dhe blerje të tyre.

Në këtë mënyrë, zgjedhjet për FSHF të planifikuara për në 2 mars do të shtyhen, gjer sa të mbarojë fillimisht gjykimi i shkeljeve. Gjykata e Tiranës ka vendosur që  zgjedhjet e FSHF të bëhen vetëm pas vendimeve penale për shkelje. Një gjë e tillë u paralajmërua dhe dje në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv nga Eduard Prodani, kryetari i Shoqatës Rajonale të Tiranës i njohur nga Gjykata e Tiranës.

“Ju informoj se kërkesa me nr. 274 Aki, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftëtari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: Marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur: Pranimin e kërkesës së palës kërkuese. Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:

1. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, date 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-se, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dale në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

2. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të  çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

3. Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë”, thuhet në vendim.

Mirëpo, burime nga FSHF-ja bën me dije se nuk do e njohin vendimin e Gjykatës së Tiranës duke këmbëngulur që zgjedhjet do të zhvillohen në 2 mars. Madje ata pretendojnë se kryetar i Shoqatës Rajonale të Tiranës është Krenar Alimehmeti dhe jo Eduard Prodani, ndonëse gjykata ka vendosur të kundërtën.