Gurishta komenton ecurinë e Vllaznisë: Na mungon vazhdimësia, kemi cilësi për zbehjen e diferencës me Tiranën…

Një nga futbollistët më të spikatur te Vllaznia është Erdenis Gurishta. Lojtari ka dhënë një intervistë për Ora Sport në Ora Tv, ku foli për ecurinë e shkodranëve. Gurishta u shpreh se ajo që i mungon ekipit është vazhdimësia. Sa i përket ftesës së mundshme nga Shqipëria, futbollisti thotë se do ishte diçka motivuese për këdo.  

“Ndeshja e fundit me Kastriotit ishte e rëndësishme për tu rikthyer te rezultatet pozitive. Por duhet vazhdimësia. Sepse kemi cilësi dhe kualitet, por nuk kemi vazhdimësi. Ndeshjen e parë fituar 5-3 me Laçin dhe të gjithë thanë që kjo Vllazni është e pandalshme. Pas asaj fitoreje morëm disa barazime.

Pastaj erdhi prapë ajo fitorja me 6 gola me Dinamon dhe u kthye entuziazmi. Ai pushimi i Kombëtareve na bëri mirë, pasi patëm kohë të mësonim nga gabimet.

Ftesë nga Shqipëria? Kombëtarja është diçka pozitive dhe e mirë po të grumbullojë ndonjë lojtar nga Superiorja për ndonjë ndeshje miqësore apo të lehtë. Kjo pastaj është një motivim më i madh për të gjithë të tjerët që të japin maksimumin. Të them që tani në çfarë vendi del është shumë herët.

Por mund të them që Vllaznia e ka kualitetin të luftojë në të dy frontet, në kampionat dhe në Kupë. Kemi shumë kualitet dhe cilësi që 10 pikë diferencë me Tiranën ti zbehim. Apeli im do të ishte që nuk mjafton cilësia dhe kualiteti, duhet qendrueshmëria. Në këto 9 javë këtë stabilitet po e tregon vetëm Tirana” – tha ai./NewsSport/