“Ishte përtej asaj që filloi”, Jozefina Topalli komenton protestat për Klodian Rashën dhe thumbon sërish Bashën: Ja cili ishte qëllim i tij

Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka komentuar protestat që zgjatën për 7 ditë me radhë pasi Klodian Rasha u ekzekutua nga një efektiv policie. Në një intervistë për Fax News, Topalli tha se protestat ndodhin kudo dhe është normale ndërsa theksoi se ishte përtej asaj që filloi ndërsa e cilësoi normale kërkesën për largimin e Ramës.

“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, kudo që të ndodhte, sigurisht që do të kishte një reagim dhe reagimi më normal është protesta. Protesta është gjuha e atyre që nuk dëgjohen, është gjuhë kundër atyre që veprojnë në kundërshtim me cdo ligj të botës. Ndoshta protesta që ndodhi në Tiranë ishte përtej asaj që filloi fillimisht, nëse bën diagnostikimin e situatës politike, ekonomike, sociale, shtuar pastaj krizën e pandemisë që është në shkallë globale, ka një mijë arsye për të pasur protesta dhe për të kundërshtuar këtë mënyrë qeverisje të papërgjegjshme.

Është gjëja më normale që të kërkosh largimin e kryeministrit por jo vetëm. Në situatën në të cilën jetojmë, duhet larguar kryeministri, kryetari i opozitës dhe gjithë ato që përdorin herë shantazhe e pazare me kryeministrin”, tha Topalli.

Pritet që në zgjedhjet e 25 Prillit, të kandidojë nën logon e “Lëvizja për Ndryshim”, e cila thotë se përfaqëson gjithë ata demokratë që nuk përfaqësohen nga PD. Në fjalën e saj, Topalli thumboi edhe Bashën duke thënë se qëllimi i tij ishte agjenda e tij familjare ekonomike.

“Po përpiqem të përfaqësoj ata që ishin në PD dhe që nuk përfaqësohen më. Përpiqem të identifikoj ata që kanë besuar në një forcë demokratike. Përpiqem të mbroj cdo parim e vlerë për të cilën kam punuar 20 vite, me një emër tjetër, por me të njëjtat parime. Nuk jemi si 30 vite më para, dhe spektri politik e as unë nuk jam ajo që isha. Lëvizja për ndryshim është një instrument që shqiptarët do të protestojnë por edhe alternativë që të fillojmë e të hapim një kapitull të ri.

Unë nuk e llogaris më atë (Bashën) që ka mbajtur Ramën në qeveri. Në përgjithësi ka pasur një qëllim, agjendën familjare ekonomike dhe unë e refuzoj më cdo gjë këtë agjendë, nuk është ajo që unë mendoj se duhet ti afrohet Shqipërisë”, tha Topalli.