“Kampionati shqiptar i vështirë”, Brdaric: Nuk e kam përmendur asnjëherë titullin për Vllazninë…

Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, në emisionin “Skaner” në MCN TV, duke folur për rivalët, tha se Tirana dhe Kukësi i meritojnë vendet që kanë në renditje. Brdaric, nuk e ka pranuar se Vllaznia është për titull, duke thënë se do të jetë një kampionat i gjatë. Më tej ai tha se fitorja me Laçin ishte shumë e rëndësishme, për disa arsye.

“Si Tirana ashtu edhe Kukësi i meritojnë vendet ku janë. Kanë bërë mirë në këto javë. Sekreti është që ta mbash një performancë dhe distancë të tillë. Do ketë më shumë skuadra për titullin. Ka më shumë skuadra që do të rriten. Nëse do titullin, të duhen pikë. Vllaznia ka lënë jo pak pikë, por unë mendoj se në të gjitha ndeshjet kemi qenë kompetitivë dhe afër për të fituar ndeshjen. Megjithatë kemi qenë shumë konfuzë, në momente të veçanta. Ishte punë e madhe të fitosh ndaj Laçit, u ngjitëm në klasifikim. Një fitore e tillë ishte shumë e rëndësishme. Ne nuk fluturojmë pas kësaj fitore, por vlerësojmë momentin që kalojmë.

Vllaznia për titull? Më keni dëgjuar ndonjëherë mua të them që jemi për titull?! Kur më pyesin, unë them me ndershmëri që jemi të aftë të mposhtim çdo skuadër. Kur analizon të gjitha ndeshjet, të gjithë duhet ta dinë, se ne duam shumë të luajmë futboll.

Objektivat sezonalë? Nuk mund të jap një përgjigje të saktë. Është një garë shumë e gjatë. Për mua, e rëndësishme është situata aktuale. Për mua te Vllaznia është një situatë e mirë. Shumë lojtarë janë përfshirë në këtë skuadër dhe kemi pritshmëri të mëdha për ta. Kampionati shqiptar nuk është shumë i thjeshtë, kur e mendon. Mendoj se duhet të duroni.

Jemi duke vuajtur nga pësimi i golave. Na është dashur të improvizojmë dhe skuadra e ka ditur këtë. Jemi duke punuar për ta rregulluar këtë.”, u shpreh Brdaric.