Krijohet Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes…

Qeveria shqiptare ka vendosur të krijojë Qendër Inovacioni të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Sipas njoftimit në Fletoren Zyrtare, Qendra ka për mision nxitjen e inovacionit dhe të gjithë proceseve të lidhura me të nëpërmjet mbështetjes, monitorimit e vlerësimit të programeve, teknologjisë dhe projekteve që i përkasin fushës së sigurisë dhe mbrojtjes.

Për nevoja të realizimit të veprimtarisë së saj, Qendra do të shkëmbejë informacione me institucionet në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes; institucionet e arsimit të lartë, qendra dhe institucionet kërkimore-shkencore në vend; NATO-n dhe partnerë të tjerë për zhvillim; persona fizikë e juridikë, publikë ose privatë, vendës apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit, komunikimeve elektronike dhe teknologjisë së informacionit etj.; ministrinë përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Sa i përket organizimit dhe funksionimit, Qendra drejtohet nga drejtori, i cili është titullari i institucionit dhe përfaqëson Qendrën në marrëdhënie me të tretët.

Drejtori i Qendrës emërohet, lirohet dhe shkarkohet prej detyrës nga ministri. Drejtori emërohet për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.

Struktura dhe organika e Qendrës miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

Qendra funksionon sipas rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit, e cila propozohet nga drejtori dhe miratohet me urdhër të ministrit.

Qendra ka stemën, logon dhe vulën zyrtare.

Stema e Qendrës përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.