Ndeshja kundër Vllaznisë, Orges SHEHI tregon mungesat: Përballje e fortë, kam ndryshuar manovër…

Tirana do të luajë nesër kundër Vllaznisë, në kuadër të javës së tretë të Superiores. Para kësaj sfide që do të zhvillohet në orën 16:00 ka folur trajneri Orges Shehi.

 Tekniku bardheblu vlerëson maksimalisht shkodranët, teksa ndalet te rëndësia e takimit. Vllaznia sipas tij është rivali momental i Tiranës. Në fjalën e tij për gazetarët, Shehi ka thënë:

“Sfida ndaj Vllaznisë është klasike dhe Vllaznia është rivali i Tiranës historik por dhe momental. Një skuadër që gjithmonë ka objektiva për të qenë në majë që do të thotë që është ndër rivalët tanë të drejt për drejt. Në ndeshje të tilla duhet anë psikologjike e fortë dhe të jesh i përqendruar te detajet. Ndeshje të tilla mund të bëjnë diferencën , për ne vjen shumë shpejt si ndeshja e tretë e kampionatit por që të gjithë ne është e fiksuar që nesër luajmë ndaj një kundërshtari direkt.

Vllaznia? Është një kundërshtar i drejt për drejt për ne, skuadër me elemente shumë cilësore dhe mendoj që është një kundërshtar i denjë për objektiva. Kundërshtar që të imponon respekt dhe për fanellën por dhe për elementet që ka në përbërje. Është një ndeshje që hyn te ato të fortat.

Ndryshimet? Ne pothuajse jemi të plotë, përveç Husein nuk është i gatshëm për shkak të një dëmtimi. Pjesa tjetër është e plotë dhe me afrimet e fundit që kanë plotësuar dokumentacionin mendoj se jemi të gatshëm për nesër. Kemi ndryshuar sistem dhe manovër, lojtarët në sulm mund të ndryshojnë në varësi të kundërshtarit por nesër do të shikohet kjo gjë”.