Politikat Ekonomike në Kohën Pas-Koronavirusit

Politikat Ekonomike në Kohën Pas-Koronavirusit

Abstrakti në dy pika:

1-Rishpërndarje të të ardhurash duke taksuar më shumë ato që kanë dhe duke ia dhënë direkt si para në dorë atyre që nuk kanë. Mund të jetë dhe indirekte nëpërmjet shpenzimeve të shtuara qeveritare ose duke financuar bizneset që të operojnë e të zgjerohen.

2-Printimi shtesë i parasë në mënyrë të balancuar duke shfrytëzuar inflacionin e ulët në Shqipëri nga BSH. Mund të mendohet edhe dhënia borxh nga qeveria te bankat e nivelit të dytë për të financuar bizneset indirekt.

Shkrimi i plotë:

Sot duhet të shpëtojmë jetët njerëzore! Nesër duhet të shpëtojmë ekonominë!

Natyra njerëzore është e tillë që vlerëson riskun në bazë të dy faktorëve. Faktori i parë është ekzistenca dhe madhësia e rrezikut, dhe faktori i dytë është prekshmëria nga ky rrezik. Nëse madhësia e rrezikut është e madhe, por probabiliteti për t’u prekur nga ky rrezik është i vogël, atëherë natyra njerëzore e nënvlerëson dhe nuk reagon në masën e duhur. Nga ana tjetër, kur probabiliteti i rrezikut është i madh, pavarësisht madhësisë së rrezikut, atëherë natyra njerëzore mbireagon dhe e mbivlerëson. Dhe ky është rasti i koronavirusit si një rrezik me madhësi të vogël, por shpërndarje e prekshmëri të konsiderueshme.

Në vazhdim, ne jemi në fazën e koronavirusit si rrezik mjekësor, që duhet thënë se sipas statistikave ka një shpërndarje të madhe me mbi 1.5 milionë të infektuar, por nga ana tjetër një vdekshmëri të ulët rreth 5% si mesatare e të gjitha vendeve. Mirëpo, koha më e vështirë e përballjes me koronavirusin do të jetë pasi koronavirusi të jetë zhdukur. Pra, kur të përballemi me krizën ekonomike të koronavirusit. Dhe e gjithë bota do të vuajë gjatë nëse nuk merren masat e duhura. Më poshtë do të shpjegoj shkurtimisht se cfarë duhet të bëjnë qeveritë përfshirë atë shqiptare në mënyrë që ta mposhtim këtë koronavirus ekonomik. Sigurisht, unë mbështes parimin e djathtë për minimizimin e qeverisë në funksionet bazë, mirëpo, në kushtet ku jemi qeveria do të ndërhyjë, dhe një ndërhyrje e gabuar mund të jetë fatale.

Për ta filluar arsyetimin, natyrshëm njerëzit, bizneset dhe qeveritë do të ulin nivelin e tyre të shpenzimeve për shkak se pagat, fitimet dhe tatimet e taksat do të zvogëlohen të shoqëruara me pasigurinë e së ardhmes. Në këndvështrimin ekonomik kjo do të jetë një politikë deflacioniste e shoqëruar me ciklin vicioz, specifikisht, ulje të rritjes së të ardhurave, me pak aftësi paguese të borxhit e ulje të pasurisë, më pak besueshmëri, më pak kredit dhe më pak borxh.

Pra, ekonomia do të ngadalësohet e cmimet do të bien. Këtu ka një rrezik madhor për shkak se rrezikon që sistemi bankar dhe industritë më të rëndësishme të falimentojnë.

Për ta mbyllur, paniku bankar mund të jetë shkatërrues, që do të thotë se njerëzit do të tërheqin kursimet nga bankat për shkak të pasigurisë, kollaterali i kredimarrësve është ulur ndjeshëm, kollaterali nuk ka ku të shitet, e nga ana tjetër bizneset nuk do investojnë më dhe nuk do marrin më kredi shoqëruar me ulje të të ardhurave e fitimeve. Pra, ekonomia rrezikon kolapsin. Në këtë pikë, hyn ndërhyrja qeveritare me dy politika inflacioniste.

Së pari, një ndryshim i sistemit fiskal në mënyrë që të marrë më shumë taksa nga të pasurit. Këto taksa të shtuara do të përdoren për të rritur shpenzimet qeveritare, paguar të papunët dhe mbështetur bizneset në mënyrë që të nxiten konsumi dhe investimi e si pasojë dhe eksportet. Mirëpo, duke patur parasysh influencat e forta politike të bizneseve të fuqishme, kjo vështirë se ndodh. Kështu që, kalojmë në pikën e dytë.

Së dyti, qeveria emeton bonde obligacione qeveritare duke ia shitur bankës qendrore. Banka qendrore i blen duke shtypur para shtesë, pra duke shtuar sasinë e parasë në treg. Në këtë mënyrë, paraja e shtuar do të rris konsumin dhe investimet. Dikush mund të sugjerojë se banka qendrore mund të ulë nivelin e interesit bazë, mirëpo kjo nuk ka për të funksionuar në këtë pikë pasi barra e borxhit është shumë e madhe për t’u lehtësuar dhe ndaj nuk ka funksionuar deri më sot edhe pse interesi ka shkuar pothuajse 0%.

Këto dy politika, do të rrisin shpenzimet në tërësi, duke rritur të ardhurat, pasurinë dhe besueshmërinë. Krediti do jetë i shtuar dhe bankat do të japin më shumë kredi. Mirëpo, në mënyrë që të kemi sukses duhet një balancim i bukur midis politikave inflacioniste dhe deflacioniste. Mosbalancimi duhet të jetë në atë masë sa rritja e të ardhurave për frymë të tejkalojë rritjen e uljes së shpenzimeve për frymë. Nëse njëra dominon mbi tjetrën, atëherë kjo mund të cojë në falimentim të shtetit dhe konflikt civil e ndoshta dhe botëror.

Për ta mbyllur, do të jetë një rënie e gjatë e aktivitetit ekonomik, mirëpo me masat e duhura mund të lehtësohet shumë dhe të mos ndihen pasojat e rënda. Pra, nuk do të ketë tragjedi, pikëllim apo vajtim, pasi nuk ka asgjë për të vajtuar. Megjithatë, unë nuk e shoh si humbja e humbjeve, por si një sakrificë dhe një sprovë që duhet duruar dhe më herët sesa vonë nëse ndjekim rrugën e duhur ne do të jemi prapë të lumtur.

Julian Saraci
11 Prill 2020