SHEHI: DO JETË NDESHJE E LUFTUAR, POR NË FUND FITON VLLAZNIA…

Pas aktivizimit në mesjavë për kupë ndaj Korabit, mbrojtësi Dajan Shehi mund të jetë në fushë edhe nesër si titullar ndaj Kastriotit. Një skuadër që ai e njeh mirë, megjithatë ka besim se Vllaznia do ia dalë të tregojë vlerat e saj dhe ta fitojë këtë përballje.

Jam i kënaqur sepse trajneri po më mbështet. Besoj se edhe unë i kam treguar trajnerit se kam shumë cilësi dhe gjithmonë kam pritur mundësinë time. E falenderoj trajnerin që po ma jep atë dhe shpresoj që t’ia shpërblej sa më mirë.

Trajneri e vendos se kush luan, besoj se edhe nesër do të jem në fushë dhe do të jap më të mirën për ekipin.

Kam luajtur më përpara me Kastriotin, është një kundërshtar shumë i fortë. Dihet se ka bërë mirë në këtë kampionat dhe besoj se nesër do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe jam shumë i bindur se nesër do të dalim me tre pikë nga fusha e lojës.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe në secilën duhet të luftojmë të marrim një rezultat pozitiv dhe këtë gjë do të tentojmë që nesër ndaj Kastriotit ku do të synojmë fitoren. Nuk ka ndeshje të lehta, por jam i sigurtë se në këtë sfidë, skuadra do të japë më të mirën në fushë dhe do të marrë rezultatin e duhur.

Vllaznia ka një skuadër shumë të mirë, të kompletuar dhe ka një stol shumë të mirë dhe gjithmonë lojtarët që janë futur nga stoli në fushë kur ka patur mungesa, kanë dhënë më të mirën e tyre për ekipin dhe kështu besoj se do të ndodhë edhe nesër.

Shorti i Kupës? Të tre kundërshtarët janë të fortë, nuk kam ndonë preferencë por e rëndësishme është që këtë vit të shkojmë në finale dhe të sjellim një kupë në Shkodër.