Shirokë/ Qendër për shërbimet e sporteve ujore/ Projekti i miratuar nga bashkia synon edukimin e të rinjve për sportet ujore

Në kuadër të zbatimit të projekteve që kanë qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në Rajonin e Shkodrës, Bashkia Shkodër në bashkëpunim me shoqatën Well Point, po zbatojnë projektin “CODES of Shkodra lake”, për ngritjen e qendrës së shërbimeve për sportet ujore në hapësirën publike sipas hartës bashkangjitur marrëveshjes. Ky projekt i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit konsiston në restaurimin e strukturave prej druri dhe ofrimin e shërbimeve për sportet ujore që i shërben jo vetëm turizmit por janë pjesë edhe e edukimit të të rinjve për sportet ujore.

Në shkresën zyrtare që RTSH Shkodra ka siguruar bashkia thotë se godina prej druri do të vendoset në lartësinë e rrugës duke mos cënuar aspak hapësirën e plazhit publik, përkundrazi ajo do të shërbejë si hije gjatë verës.

Aurora Piroviq drejtuese e Organizatës Well Point thotë se ky është një investim publik përmes Well Point, Adzm dhe bashkisë Shkodër në kuadër të projkteve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit natyror.

Aty do të ketë tre banjo dhe një çesëm publike ku njerëzit mund të mbushin shishet e ujit falas dhe mund të perdorin banjon për nevoja personale. Banjot do të lidhen me sistemin e kanalizimeve dhe si rrjedhojë plazhi publik do të qëndrojë përgjithmonë publik, i pastër dhe i sistemuar sipas marrëveshjes që Bashkia Shkodër ka me organizatën mjedisore Well Point.