“Si u’a morëm pasuritë në miliona USD, që kishin jashtë 10 shqiptarët më të pasur, duke…

Dashnor Kaloçi   

Memorie.al publikon një dokument të panjohur të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së i cili është shkëputur nga një dosje, që  i përket vitit 1962 dhe bën fjalë mbi një korrespondencë në mes Bankës së Shtetit Shqiptar (Drejtoria e Përgjithshme), me Drejtorinë e Tregti-Financë pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, ku jepet një raport-informacion me detaje dhe hollësira për puna e bërë prej Shoqërisë, Komisionari në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me të ardhurat e nxjerra nga shitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme e të depozitave bankare, të emigrantëve politikë shqiptarë, në shtete të ndryshme të botës, si në Itali, Turqi, Egjipt, Kongo, etj.  Si i’u morri Ministria e Punëve të Brendshme, prokurat disa prej familjeve të pasura shqiptare, që kishin pronat dhe depozitat bankare, në shtete të ndryshme të botës, duke u’a marrë firmat trashëgimtarëve të tyre në Shqipëri, si:

Vangjel Manushi, Mediha Libohova, Enver Libohova, Ihsan Libohova, Vllazën Gurashi, Vllazën Dabërdaku, Ismail Tartari, Behire Vila, Vllazën Leka, Ali Hasho, Emine Shaska, etj. Shënimi i Enver Hoxhës me sugjerimet përkatëse, se si duheshin marrë ato prona dhe pasuria që kishte në Kongo, shtetasi shqiptar nga Gjirokastra, Theofanis Fotolalos, si dhe përpjekjet e “organeve kompetente” për të hyrë në bisedime dhe për t’i ftuar në Shqipëri, tregtarin Mynir Topulli (me origjinë nga Gjirokastra dhe nënshtetësi libaneze), për ta ngarkuar me shitjen e pronave në Egjipt e Turqi dhe Rrok Prenushin nga Shkodra, që jetonte në Trieste, që ai të lidhej me tregtarët italianë që merreshin me shitblerje pronash.

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

                                                          I N F O R M A C I O N

Mbi realizimin e pasurive dhe t’ë ardhurave nga pasuritë e shtetasve shqiptar jashtë shtetit

Gjatë tremujorit të parë të vitit në vazhdim, me anë të Shoqërisë Komisionaria, u realizuan 140.000 dollarë të ardhura. Kjo shumë përfaqëson qeratë e disa vjetëve të një pasurie në Kongo dhe shitjen e disa pasurive të vogla në Egjipt, etj.

Aktiviteti jashtë shtetit i Shoqërisë Komisionaria është mbështetur për pjesën më të madhe në punën e funksionarëve të përfaqësive t’ona diplomatike në Itali, Republikën e Bashkuar Arabe dhe Turqi.

Në Itali, ku kemi veprime të mëdha shitje dhe arkëtimi qerash, njoftohemi nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme, se aktiviteti i përfaqësive t’ona diplomatike, në drejtim të shitjeve dhe të arkëtimeve të të ardhurave nga pasuria e shtetasve t’onë në atë vende, ka rënë në sy të autoriteteve italiane.

Një fakt i tillë mund të na sjellë shkak për provokacione. Para kësaj gjendje, me anë të Ministrisë së Jashtme, njoftuam legatën t’onë në Romë që të mos paraqes për legalizim në Ministrinë e Jashtme të Italisë, prokurat e dhëna nga pronarët shqiptarë për shitje: autorizuam që të paraqiten për legalizim në Ministrinë e Jashtme Romë, vetëm prokurat që kanë të bëjnë me administrimin e disa pasurive të patundshme dhe që do të administrohen nga një shtetas italian, me të cilin kemi kryer edhe më parë veprime të kësaj natyre.

Fakti i mësipërm do të na pengoj përkohësisht në veprimet t’ona për të shitur pasuritë e patundshme në Itali, mbasi mendojmë se janë mundësitë për t’i kapërcyer këto pengesa, duke ruajtur në të njëjtën kohë përfaqësitë t’ona diplomatike nga provokacionet eventuale.

Shoqërisë Komisionaria për të arritur qëllimin e mësipërm do t’i duhet të krijojë dhe të zgjerojë rrjetin e agjentëve të saj në Itali, Republikën e Bashkuar Arabe dhe Turqi. Kjo gjë është e mundshme por do të na kushtoj shumë, sidomos në Itali, ku deri tani kemi paguar pak shpërblime (ryshfete).

Gjetja e agjentëve të përshtatshëm për t’i shërbyer interesave t’ona dhe të tyre në një masë të pranueshme, kërkon kujdes të madh, sepse mund të hasim me afaristë aventurierë, të cilët do të na vënë përpara rrezikut të humbasim krerët. Për ta bërë sa më pak të mundshëm këtë rrezik, duhet:

  • Të merret kontakt me firmën zvicerane “Sapot”, në Gjenevë (e cila ka mundësi të veprojë në Egjipt, Turqi dhe Greqi).
  • Të ftohet për bisedime në Shqipëri, afaristi Mynyr Topulli (me origjinë shqiptare dhe nënshtetësi libaneze), i cili mesa jemi informuar mund të veproi, në Turqi dhe Egjipt.
  • Të ftohet Rrok Prenushi, me origjinë dhe shtetësi shqiptare, banues në Trieste ku zhvillon aktivitet tregtar. I përmenduri mund të ndihmoj në gjetjen e ndonjë afaristi të përshtatshëm Italian, të cilit mund t’i ngarkohet shitja e pasurive të patundshme në Itali.
  • Të merret kontakt me juristët dhe afaristët italianë të quajtur Carbini dhe Korabi, të cilët mund të ngarkohen me disa shitje. Me këto persona e sidomos të dytin, Shoqëria Komisionaria ka kryer disa veprime administrimi dhe ka arkëtuar rregullisht të ardhurat.
  • Të ç’frytëzohet rasti i Asamblesë vjetore të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Bale (Zvicër), jo vetëm për të marrë kontakt me firmën afariste Zvicerane “Sapot”, por dhe për të studiuar në vend në Itali, mundësitë e gjetjes së agjentëve të tjerë e sidomos mundësive për shitje, duke qenë se nga informacionet që kemi, shitjet me para në dorë paraqiten të vështira: gjenden blerës me kredi. Na thonë gjithashtu se ka sipërmarrje që i blejnë pasuritë e patundshme me zbritje 30 deri në 40 % nga çmimi i ditës dhe kjo për faktin se në Romë ka mbi 40.000 apartamente të reja të pa dhëna me qera (qiratë janë shumë të nalta: për një apartament dy dhoma dhe një kuzhinë, I ndodhur në një rrugë jo kryesore, kërkohet një qera e barabartë me rrogën e një punëtori të specializuar ose të një nëpunësi të mesëm). Sidoqoftë, këto janë informata të diskutueshme dhe mendojmë që të zgjerohen në vend, duke u mundu me u kufizue në sa më pak humbje në valut që do të realizohet nga shitja e pasurive.

Ne mendojmë se veprimi në drejtimet e mësipërme, do të krijojë mundësi që të mënjanohen vështirësitë që po na dalin në Itali dhe të zgjerojmë frontin e punës së Komisioneries në Egjipt dhe Turqi; gjithashtu mund të shpresojmë në çeljen e ndonjë shtegu në Greqi.

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Relacioni i Drejtorisë së Tregti-Financë pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, për sekuestrimin e depozitave bankare dhe pronave e pasurive të disa shqiptarëve në shtete të ndryshme të botës

                                                              R E L A C I O N

               MBI

Zbatimin e disa detyrave të vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Nr.311 datë 11/IX/1961 “Mbi mundësitë për rritjen e të ardhurave dhe shkurtimin e shpenzimeve në valutë”

Në vitin 1961, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, analizoi mundësitë për rritjen e të ardhurave dhe shkurtimin e shpenzimeve në valutë. Në të njëjtën kohë u përcaktuan dhe masat që duheshin marrë për këto çështje.

Mbas daljes së këtij vendimi, është bërë një punë më e mirë nga të gjitha organet shtetërore dhe ka pas një interes të vazhdueshëm më të madh, edhe për rritjen e të ardhurave në valutë të lirë: nga administrimi i pasurive të shtetasve shqiptar jashtë shtetit nga emigracioni, nga shitja e pullave etj.

  • MBI REZULTATET E ARRITURA NË ZBATIMIN E VENDIMIT TË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË

Mbi këtë bazë, Banka e Shtetit Shqiptar dhe Shoqëria Komisionaria, kanë punuar mirë në drejtim të rritjes së të ardhurave në valutë nga administrimi, shitja e pasurive të shtetasve shqiptar jashtë shtetit dhe nga emigracioni.

Më mirë është punuar për shitjen e pullës postare. Si rezultat i kësaj pune gjatë tremujorit të I-rë të këtij viti, parashikohet të kemi këto rezultate: (në dollar). Shiko faksimilen përkatëse.

Shënojmë se gjatë vitit 1961 janë blerë nga popullata edhe 14.700 napolona ar, stoli, argjend, baras me 4.306.364 lek valutë, nga të cilat 13.210 napolona të blerë, 1090 të sjellë nga jashtë dhe 400 copë të deklaruara. Të dhënat e tremujorit parë nuk janë nxjerrë.

Rritja e t’ardhurave në valutë që vërehet në këto vjetët e fundit është bërë e mundur si rezultat i masave të marruna për rritjen e të ardhurave në valutë të lirë.

Në këtë drejtim kanë ndikuara forcimi i punës së Bankës në përgjithësi, i Shoqërisë Komisionare, bashkëpunimi i mirë në mes të Bankës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndjekjen e praktikave ekzistuese dhe zbulimin e pasurive të reja.

Në rritjen e të ardhurave ka ndikuar dhe puna e bërë për arkëtimin në valutë nga Italia, për të nxjerrjen e eshtrave të personave të vrarë në Shqipëri e tjera.

Nga përpjekjet e bërë në krahasim me të kaluarën, u bë e mundur që të zgjidheshin shumë çështje, të cilat kishin mbetur pezull dhe që në të ardhmen do të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të të ardhurave në valutë.

  • Është bërë e mundur rritja e të ardhurave në valutë si rrjedhim i një pune të mirë për ndjekjen e tyre.

Gjatë kësaj periudhe është marrë nën administrim nga ana e Shoqërisë Komisionare, pasuria e trashëgimtarëve të Theofanis Fotolalos në Kongo, si dhe arkëtimi i pjesshëm i depozitës që ajo zotëron prej 60.000 dollarë dhe jemi në pritje të realizimit të depozitës tjetër që ndodhet në Lepoldvil.

Me përpjekjet e bëra mundëm të arkëtonim nga trashëgimia e Qorralinjëve në Egjipt 51.200 dollarë, nga qeratë e V. Manushit dhe shitja e shtëpisë së A. Lekës 21.000 dollarë etj.

  • Mbas daljes së vendimit të Byrosë Politike është forcuar bashkëpunimi në mes të bankës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për çështjen e shtetasve shqiptarë jashtë shtetit.

Kohët e fundit është forcuar bashkëpunimi në mes të Bankës dhe organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për çështjen e pasurive që shtetasit shqiptar zotërojnë jashtë shtetit.

Me ndihmën e organeve të Punëve të Brendshme, është bërë e mundur që shumë qytetarë të cilët nguronin që të jepnin prokurat për shitjen e pasurive, tani i kanë dhënë.

Midis tyre përmendim personat që kanë dhënë prokurë për shitjen e pasurisë:

Vangjel Manushi  666.000$

Mediha Libohova   20.000$

Enver Libohova    116.000$

Ihsan Libohova      80.000$

Vllazën Gurashi   150.000$

Vllazën Dabërdaku 15.000$

Ismail Tartari           15.000$

Behire Vila               20.000$

Vllazën Leka         166.000$

Ali Hasho               10.000$

Emine Shaska         18.000$

Shuma 1.276.000 dollarë

Ndërkohë janë duke u përgatitur prokurat nga Isuf Beshiri, Hysen Beshiri e tjerë, për shitjen e pasurive të tyre që kap shifrën 250.000 dollarë.

Me gjithë punën e bërë ka akoma mjaft persona që nuk kanë dhënë prokurë për shitjen e pasurive ashtu dhe për tërheqjen e depozitave në bankat e huaja. Kjo rrjedh për dy arsye:

Një pjesë e këtyre personave nuk janë të kjartë për çështjet valutore, ndërsa një pjesë tjetër mbajnë qëndrim të keq politik. Vlefta e këtyre pasurive të cilat ndodhen si pasuri të paluajtshme në Itali dhe për të cilat nuk është dhënë akoma prokura, llogaritet në 236.000 dollarë.

Gjatë kësaj periudhe është vazhduar puna për zbulimin e pronave dhe depozitave të tjera, numri i të cilave është i madh. Kështu një punë e mirë është bërë në zbulimin e pasurive në Kongo të trashëgimtarëve të Theofanis Fotolalos nga qyteti i Gjirokastrës.

Deri tani vetëm nga depozitat e përmendura që kishte në bankë, u arkëtuar një shumë prej rreth 60.000 dollarë dhe është për t’u realizuar dhe depozita tjetër që ndodhet në Leopoldvil prej 26.000 dollar.

Pasuria përbëhet prej një fabrike buke, disa apartamente banimi, depo të cilat ndodhen në rrugën kryesore të Leopoldvilit dhe që vlerësohet aprokasimativisht për 500.000 dollarë.

Është për t’u vënë në dukje se ne u njohëm tani si administrator të kësaj pasurie.

Gjithashtu u zbulua dhe pasuria e trashëgimtarit Trëndafili në Kongo, në qytetin Luyanda. Tani po bëhen përpjekjet për të marrë këtë pasuri në zotërim tonë, për pjesën që u takon trashëgimtarëve që gjenden në Shqipëri, mbasi një pjesë ndodhen atje.

Pjesa që u takon trashëgimtarëve që gjenden këtu, vlerësohet rreth 60.000 dollarë. Është zbuluar një trashëgimi me një vlerë të konsiderueshme e Spiro Kallços në Libi, në qytetin Tripoli, e cila përbëhet prej…/Memorie.al

DREJTORI I DREJTORISË TREGTI-FINANCE                              SEKRETARI I K.Q.TE P.P.SH,

     Pjetër Kosta                                                                                    Haki Toska   

Tiranë. më 3/IV/1962                                                               

                                                              Vijon në numrin e ardhshëm