Tonin Uldedaj Replikë me ata që lypin pare dhe thonë ‘me ju na shkon vota dam’…

Replikë (3) me ata që lypin pare dhe thonë ‘me ju na shkon vota dam’

Çfarë ofron ti/ju?

“Çdo lek që merr sot për votën, bëhet nesër biletë për fëmijë tënd për të ikur nga ky vend…”. Dua ta nis me këtë shprehje të Suela Dakës, mësuese, bashkëpunëtore dhe kandidate në listen e Bindjes Demokratike në Shkodër këtë bashkëbisedim me ju.

Nuk mendoj se ka mënyrë ma të mirë për me iu përgjigjë atyre që kërkojnë lekë në shkëmbim të votes, apo atyre që pyesin ‘çfarë ofron ti, se ai tjetri na ka premtu aksh gja…’.

Unë nuk ofroj lekë edhe pse nuk më mungojnë. Unë besoj se procesi politik, pjesë e të cilit janë edhe zgjedhjet, ka instrument kryesor llogaridhanien. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që akush nuk ka mbajtë përgjegjësi dhe as dhanë llogari për dështimet kronike dhe premtimet e hedhuna në lumë. Nëse ti merr 50, 100 apo 200 mijë lekë apo një vend pune në shkëmbim të votes, ti e ke humbë të drejtën me më kërku llogari. Ai 100 mijë lekësh të ka ble jo vetëm votën, por edhe heshtjen e ta ka mbyllë gojën.

Vota është besim dhe në takimet me njerëz në Shkodër dhe në të gjitha zonat e qarkut këtë u them njerëzve: Kush na jep votën na ka dhanë besën! Atëherë mbetet në nderin dhe në faqen e zezë ose të bardhë tonën mbajtja apo thyerja e kësaj bese.

Kjo është oferta jonë: ne vijmë si shkodranë, si malësorë, si njerëz duke ju kërku që investimin e votës mos e fusni në ‘firma piramidale’ që thonë se do jua kthejnë 10 fish. Ndajeni me ‘njerëzit e shpisë’, me ata që njihni dhe që u nxani besë.

Pse duhet të votoj për ty, kur ka kaq shumë kandidatë?

Për me e qitë diku zemërimin dhe zhgënjimin me të njëjtët njerëz dhe sigla partiake. Shprehja e moçme thotë; po më rrejte nji herë, faji yt, po më rrejtë të dytën, asht faji im. Prova ma e randë e rrenës është fakti se partitë e vjetra, çdo palë zgjedhje ju sjellin koordinatorë dhe drejtues të rinj qarqesh, duke ndërru të maparshmit. E dini pse e bajnë këtë? Sepse ju kanë rrejtë dhe nuk i kanë mbajtë premtimet. Ata që kanë kenë në Shkodër i çojnë në Lezhë a Tiranë se duan që t’ju harrohen rrenat.

Kur të shihni fytyra të reja që jua kërkojnë votën, mos kujtoni se kanë ndryshu edhe partitë edhe rrenat. Janë të njëjtit. Nëse u beson kjo tregon se nuk ke ndryshu as ti vetë.

Ju doni stabilitet në marrdhaniet njerëzore dhe një mandat i listës sonë në Shkodër, jua jep këtë stabilitet.

Duke më zgjedhë mua votoni Tonin Uldedajn, jo kryetarin dhe partinë. Vota për mua është për komunitetin dhe qytetin, jo për drejtuesit dhe koordinatorët nga Tirana të cilët i shihni veç në televizor dhe nuk i takoni kurrë, veç po erdhën njëherë në katër vjet.

Ka edhe një arsye tjetër: Bindja është një ndër më të pastrat, parti e re me profil të qartë të qendrës së djathtë dhe me kryetar dhe kandidatë të papërfolur. Jemi e vetmja parti që kemi çu në Komisionin e Verifikimit të Figurave të gjithë listën e partisë. Nuk jemi parti e lidhur me komunizmin dhe as me Sigurimin. Nuk jemi të dyshuar as për trafiqe dhe as për korrupsion.

Jemi e vetmja parti me dy kandidatë të Diasporës në Lista sepse besojmë se ata që na çojnë pare çdo muaj me mbajtë familjen duhet të kenë përfaqësim në Parlament.

Çfarë do të bash me mandatin po fitove?

Jo rrallë na e thonë mua dhe kolegëve të mi: BD është parti e vogël, na shkon vota dam. Jua them si burrat: Nëse ia keni pa hajrin votave që keni dhanë për partitë e mëdha, vazhdoni me jua dhanë atyne. Nëse ju ka shku dam me ato, kërkojmë edhe ne shansin tone të cilin jua kërkojmë me besë. Nuk duam me u ba ‘të mëdhenj’ as me u kapardisë, por me ba diçka për njerëzit tonë dhe trevën tonë.

Gjaja e parë që mundena me ndryshu asht partitë që nuk kanë ndryshu gja, veç sasisë së rrenave. Gjaja e dytë asht se duhet me ndryshu drejtim. Një fjalë e mençme thotë se, nëse ban të njëjtën gjë vazhdimisht dhe pret rezultate të ndryshme, ke një problem. Do me thanë, ne nuk mundena me vazhdu me votu të njëjtat parti vazhdimisht, e mandej me u anku se nuk po ndryshon gja.

Ne do të jemi mandati deçiziv në Kuvend për formimin e qeverisë. Nëse na duhet me i vendosë kushte, gjithësecilës qeveri, do i vendosim kushtet në favor të atyre që na kanë dhënë votën, jo të partisë, të koordinatorëve apo të kryetarit.

Mandati që ne kërkojmë dhe do të marrim në Shkodër, me ndihmën e Zotit dhe tuajën, është mandat besimi. Ka gjëra pafund me ba në Shkodër dhe për Shkodrën me këtë mandat. Ne nuk premtojmë, por ju japim besën se mandati jonë është i juaji dhe do të përdoret vetëm në favor të interesit të Shkodrës dhe shkodranëve. Ne nuk bajmë si të tjerët që ju premtojnë se do ulin hanën në tokë dhe do rrisin cilësinë e diellit, por mund të jemi zani juaj dhe jo altoparlanti i partisë dhe kryetarëve.