Vidhte Xhamiat dhe Kishat, kapet 21 vjeçari nga Kopliku (EMRI)

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kopliku”.

Vidhte në objekte kulti, lokale dhe në qendrën shëndetësore, arrestohet në flagrancë një 21-vjeçar, i cili u kap gjatë operacionit duke vjedhur në një nga objektet e kultit.

Sekuestrohen sendet e vjedhura në objektet e kultit.

Zbardhen dhe katër vjedhje të tjera të kryera nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, bazuar në informcionet e marra në rrugë operative për një të ri, i cili po kryente vjedhje në objektet e kultit dhe në lokale në Koplik, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kopliku”.

Si rezultat i operacionit të mirëorganizuar u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Ernest Fsharri, 21 vjeç, banues në fshatin Koplik i Sipërm.

Ky shtetas gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Koplikut, kishte vjedhur në Kishën Katolike sende që përdoren për kryerjen e meshave.

Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Gruemirë Çezme, kishte vjedhur në lokalin në pronësi të shtetasit G. P., si dhe në fshatin Koplik i Sipërm kishte vjedhur xhaminë e fshatit ku kishte vjedhur një sasi vlere monetare rreth 10.000 lekë.

Pas njoftimit të marrë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Kopliku”, ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, është bërë e munduar kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., të cilit gjatë momentit të arrestimit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe sendet e vjedhura në këto tre objekte.

Gjithashtu nga hetimet e kryera deri në këto momente rezulton se ky shtetas është autor edhe i disa ngjarjeve të ndodhura në fshatin Koplik i Sipërm konkretisht:

Më datë 03.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Më datë 12.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit R. N.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për zbulimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë i implikuar ky shtetas.