Xhaferi: Ndryshimi i trajnerëve bëhet nga halli, Diagne shkaktonte probleme në skuadër…

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, u shpreh se ndryshimi i trajnerëve bëhet nga halli.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, numri 1 i klubit shkodran tha se duke ditur porblemet nga brenda, vendosi të largojë Brdaric, ndërsa për Plorin deklaroi se edhe ai ishte dakord për mbylljen e bashkëpunimit.

Ndryshimi i trajnerëve? Këto janë procese që bëhen nga halli. Askush nuk i ndryshon trajnerët kur ka sukses. Duke i ditur problemet nga brenda, unë ndërhyra te ndërrimi i Bradaric. Me Plorin kishim një bisedë miqësore. Plori kishte një dëshirë të madhe për të pasur sukses, por pas humbjes me Tiranën u ulëm si dy miq dhe vendosëm.

Nuk jam penduar aspak për Plorin. Është një djalë shumë i mirë. Pas ikjes së Brdaric, u munduam të rregullojmë disa probleme, por ishin ngjeshje e ndeshjeve, gabime të arbitrave dhe të tjerat.

Jemi me fat që kemi tifozët që e kanë mbështetur ekipin. Reagimet e tyre, duhet t’i respektojmë. Ata janë pjesa më e rëndësishme. Presioni ndikon, e kam parë edhe të disa lojtarë. Jetojnë në qytet, disa njerëz duan të bëjnë edhe trajnerin. Ambienti i Shkodrës sigurisht që ka ndrikuar. Por edhe te skuadrat e kryeqytetit ka një presion për rezultatin.

Kur u bë skuadra në fillim, e përcaktuam objektivin për kampion. Në fillim kemi treguar lojëra të mira. Euforia e tepërt në Shkodër ndikon të vazhdimësia. Nuk jam i kënaqur me disa lojtarë, për atë që treguan. Në futboll janë shumë situata që ndikojnë, performanca e para, por edhe arbitri, na kanë dëmtuar për vazhdimësinë. Mendoj që ka pasur problematika te lojtarë të caktuar, të cilët nuk kanë dhënë atë që prisnim. Në finalen e Kupës të gjithë lojtarët kanë dhënë më të mirën.

Në lidhje me largimin e mbrojtësit Diagne, Xhaferi tha se ndodhi për shkak se lojtari theu disiplinën, teksa kishte edhe probleme me trajnerët.

Kishim një mbrojtës me eksperiencë si Diagne. Kishte një fillim shumë të mirë. Edhe ai në momente të caktuar ishte problematik, në lidhje me marrëdhëniet me trajnerit. Në një ndeshje nuk pranonte të ulej në stol, deri sa arritëm në një moment që ne ta largonim nga ekipi. Lojtari theu disiplinën dhe iku pa marrë asnjë leje. Problematika ka pasur dhe kanë ndikuar në rezultate.