Bashkia Shkodër riparon dëmtimet në sheshin para stadiumit/ Luleta: Paralelisht do të vendoset sinjalistika e plotë…

Bashkia Shkodër ka nisur punën për riparimin e dëmtimeve në sheshin përreth stadiumit “Loro Boriçi”. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të planit të punës për riparimin dhe sistemimin e rrugëve në lagjet e qytetit dhe njësitë administrative.

Grupet e punës po punojnë për zëvëndësimin e pllakave dekorative të dëmtuara nga mjetet e tonazhit të lartë, si dhe sistemimin e plotë të sheshit përreth impjantit sportiv. Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë Shkodër Alfred Luleta thotë se paralelisht do të vendoset sinjalistika e plotë që ndalon qarkullimin dhe qëndrimin e mjeteve të tonazhit të lartë në këtë zonë.

Ndërhyrje të tilla do të kryhen në të gjitha segmentet rrugore ku ka patur punime dhe dëmtim të shtresës asfaltike, me qëllim që ato të jenë gati përpara nisjes së stinës së reshjeve. Paralelisht Bashkia Shkodër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit për të ruajtur pronën publike nga çdo lloj dëmtimi.