COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 156 raste dhe 3 humbje jete në 24 orët e fundit

Dr. Gentiana Qirjako
Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon mbi situatën epidemiologjike në vend.
Sot është dita me numrin më të lartë të të shëruarve, duke kapërcyer edhe numrin e rasteve të reja ditore.

158 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19, ndërsa 156 qytetarë rezultojnë të prekur nga virusi SARS COV2 në 24 orët e fundit.

Në të gjithe vendin janë kryer 865 testime. Rastet e konfirmuar pozitivë me COVID-19, i përkasin kësaj shpërndarje gjeografike në vend:

101 raste në Tiranë, 12 raste në Durrës, 5 raste në Librazhd, nga 4 raste në Fier, Korçë, Berat, 3 raste në Elbasan, Tropojë, Kamëz, nga 2 raste në Krujë, Kukës, Ura Vajgurore, Peqin, Gramsh, nga 1 rast në Shkodër, Lushnje, Mirditë, Dibër, Bulqizë, Himare, Kuçovë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 168 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar.

Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 42 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 56 vjeçar, një 65 vjeçare nga Tirana dhe një 79 vjeçare nga Kuçova me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ju bën apel qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, duke respektuar masat e vendosura.

Ruani distancimin fizik, vendosni maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, kujdesuni për higjienën personale. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se, nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar, të kontaktoni menjëherë mjekun e familjes ose të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.

Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar për çdo informacion tjetër rreth COVID19.