Gilman Lika: Oferta e Vllaznisë ishte ofenduese, si më ndryshuan kontratën…

Në ditën kur pritej të zyrtarizohej rinovi mi i kontratës me Vllazninë, Gilman Lika ka mbetur i befasuar nga ajo që i kanë ofruar drejtuesit e klubit shkodran. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kapiteni i kuqebluve në sezonin 2019-2020 ka rrëfyer të gjitha prapaskenat, duke folur hapur për negociatat e bëra me drejtuesit, nga takimi me sponsorin Alban Xhaferi dhe deri te kontrata e ndryshuar, teksa mesfushori ka sqaruar me detaje mosarritjen e marrëveshjes.

OFERTA – “Dua që t’ia nis nga fillimi për të sqaruar të gjithë historinë time me klubin. Të mërkurën u takova me drejtuesit, ku dhe folëm për kontratën. Pardje mbyllëm gjithçka sa i përket akordit financiar, duke rënë dakord për një kontratë 2-vjeçare, me shifra dhe të gjitha kushtet. Sot (dje) më nisën zyrtarisht kontratën për ta shikuar dhe kuptoj që ishte ndryshe nga sa kishim folur në tavolinë.

U thashë se si është puna, pasi kemi folur ndryshe dhe në kontratë shkruhet diçka tjetër. Ne ramë dakord për të tjera gjëra, por Xhaferi nga ana e tij më tha: ‘Më fal, pasi kisha kujtuar se ishe 31 vjeç dhe s’mundem të të bëj kontratë për dy vjet. Më ka thënë edhe Suadi Lici e Matko Djarmati, që të mos të bëj kontratë 2-vjeçare’. I thashë: ‘OK, s’ka problem, ky është mendimi i tyre’. Më pas u ulëm sërish dhe diskutuam për një kontratë 1- vjeçare. Nuk kam qejf të përmend shifra, por jam i detyruar, pasi dua që ta marrin vesh të gjithë tifozët se si është e vërteta e atyre që më vonë mund të publikohen ndryshe. Ata kanë mashtruar njerëzit duke u thënë: ‘Na ka kërkuar Gilmani 5-6 mijë euro’.

Unë u kërkova kontratë për një vit, me 3 milionë lekë të vjetra në dorë dhe një rrogë mujore 2 milionë lekë të vjetra për 8 muaj, ndërsa ajo që më ofruan ishte një rrogë prej 1 milionë e gjysmë në muaj. I tregova këto shifra, pasi e di mirë se do të ishin keqinterpretuar. Kjo është gjithë e vërteta që unë nuk gjeta dakordësinë me Vllazninë”, është shprehur fillimisht Lika.

MESAZHI – Mesfushori shkodran dha një mesazh edhe për tifozët, ndërsa nuk kurseu as ironinë për drejtuesit aktualë të klubit. “U kërkoj të falur të gjithë atyre që donin me zemër që unë të isha përsëri te Vllaznia. Megjithatë, më duhet të them se oferta ndaj meje ishte ofenduese dhe një mungesë respekti. Në sezonin që shkoj kam shënuar 11 gola dhe kam dhënë 5 asiste, ndërsa tani po më thonë se janë shumë 2 milionë lekë të vjetër në muaj që kam kërkuar.

Ndërsa lojtarë të tjerë me 2 gola në vit paskan për t’u paguar 4-5 mijë euro në muaj. Gjithsesi, s’ka problem. Kjo është puna e tyre, por thjesht desha të sqaroj tët gjithë njerëzit se si është e vërteta. Ndihem i ofenduar, pasi mendoj se do të kisha dhënë kontribut për Vllazninë edhe të paktën 2-3 vite të tjera. Më e rëndësishme është që të ec përpara Vllaznia, ajo është krenaria jonë dhe nuk ka rëndësi kush e drejton momentalisht atë.

Shpresoj që të arrihet Europa këtë vit dhe të kthehet emri i vërtetë i këtij klubi të madh, në mënyrë që t’u kthehet lumturia edhe shkodranëve. Edhe nëse do të jem diku tjetër, u premtoj të gjithëve që sa të jetë jeta, do të jem një ndër tifozët me besnik të Vllaznisë. Me gjithë respekt, ju përshëndes të gjithëve”, përfundoi Gilman Lika.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL